Pas tërmetit që tronditi Kosovën, autoritetet tregojnë si të mbrohemi gjatë dhe pas lëkundjeve

Pas tërmetit që tronditi Kosovën, autoritetet tregojnë si të mbrohemi gjatë dhe pas lëkundjeve

Një tërmet me magnitudë 4.8 sipas shkallës Rihter goditi zonën Prizren–Shtërpcë mbrëmjen e së martës, rreth orës 22:05 me orën lokale. Lëkundjet u ndjenë në pjesë të ndryshme të Kosovës dhe rajonit.

Pas ngjarjes, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës lëshoi një njoftim për qytetarët, duke apeluar për qetësi dhe respektim të udhëzimeve të sigurisë gjatë tërmeteve.

Ministria këshillon që gjatë lëkundjeve qytetarët të ruajnë qetësinë dhe të mos panikosen. Rekomandohet të futen nën një tavolinë të fortë ose pranë një muri mbajtës, të mbrojnë kokën dhe qafën me duar dhe të qëndrojnë larg dritareve, rafteve dhe objekteve që mund të bien. Po ashtu, nuk duhet përdorur ashensori.

Nëse ndodheni jashtë, duhet të qëndroni larg ndërtesave, shtyllave elektrike dhe pemëve. Nëse jeni duke vozitur, ndaloni në një vend të sigurt dhe qëndroni brenda automjetit derisa lëkundjet të përfundojnë.

Pas tërmetit, duhet të dilni me kujdes nga objekti vetëm nëse nuk është i dëmtuar rëndë, të kontrolloni për persona të lënduar dhe të njoftoni shërbimet emergjente në rast nevoje.

Sipas statistikave, në 30 ditët e fundit, në Kosovë janë regjistruar 36 tërmete me intensitet të ulët. Qytetarët duhet të ndjekin vetëm njoftimet zyrtare dhe të jenë të përgatitur për lëkundje pasuese.

“Siguria fillon me vetëdije dhe veprim të shpejtë. Respektimi i këtyre udhëzimeve ndihmon në zvogëlimin e rrezikut për ju dhe familjen tuaj”, thekson ministria.

/Motilokal.com