'Është mjaft ngrohtë jashtë': Ndryshimi i klimës nxeh Lojërat Olimpike Dimërore

'Është mjaft ngrohtë jashtë': Ndryshimi i klimës nxeh Lojërat Olimpike Dimërore

Tifozët olimpikë erdhën në Cortina me pallto të trasha dimri dhe doreza. Por të dielën ato pallto u hapën, ndërsa dorezat përfunduan në xhepa, pasi bora nisi të shkrihej nga çatitë. Një shenjë e qartë e një bote që po ngrohet.

“Mendova se do të na duhej të vishnim të gjitha shtresat,” thotë Jay Tucker, i cili kishte ardhur nga Virxhinia për të mbështetur ekipin e SHBA-së dhe kishte blerë edhe ngrohëse për duar e çorape me ngrohje. “Madje as doreza nuk kam veshur.”

Koha e dimrit, sasia e reshjeve të borës dhe temperaturat po bëhen gjithnjë e më pak të qëndrueshme dhe më të vështira për t’u parashikuar, pasi Toka po ngrohet me ritme rekord, thotë meteorologu Shel Winkley nga Climate Central.

Kjo paraqet një sfidë në rritje për organizatorët e sporteve dimërore. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar tha javën e kaluar se mund ta afrojë datën e nisjes së Lojërave të ardhshme Dimërore nga shkurti në janar për shkak të rritjes së temperaturave.

Edhe pse fillimi i Lojërave Olimpike Dimërore 2026 në Cortina kishte atmosferë tipike dimri, me qytetin e mbuluar nga bora e dendur, të dielën pasdite temperatura arriti rreth 4.5 gradë Celsius dhe në diell ndihej edhe më ngrohtë.

Sipas Winkley, kjo lloj “ngrohtësie” për muajin shkurt në Cortina është të paktën tri herë më e mundshme për shkak të ndryshimeve klimatike. Në 70 vitet që nga organizimi i parë i Lojërave Dimërore atje, temperaturat e shkurtit janë rritur me rreth 3.6 gradë Celsius.

Sfida e motit të ndryshëm mes qyteteve pritëse

Për Lojërat Milano-Cortina ka edhe një vështirësi shtesë. Janë Lojërat Dimërore më të shpërndara ndonjëherë, me gara në zona që kanë kushte shumë të ndryshme atmosferike. Bormio dhe Livigno, për shembull, ndodhen më pak se një orë larg me makinë, por ndahen nga një qafë e lartë malore që shpesh krijon dallime të mëdha klimatike.

Komiteti organizues po bashkëpunon ngushtë me katër agjenci rajonale dhe provinciale të motit. Sensorë janë vendosur në pika kyçe të garave, pranë trampolinave të kërcimit me ski, përgjatë pistave alpine dhe në poligonin e biatlonit.

Aty ku stacionet automatike nuk mbledhin dot të gjitha të dhënat, janë angazhuar edhe vëzhgues, të quajtur “shkencëtarë të borës”, të cilët regjistrojnë informacionin në terren, sipas specialistit të motit Matteo Pasotti.

Shpresa është për qiell të kthjellët, erëra të lehta dhe temperatura të ulëta në ditët e garave, që të ruhet shtresa e borës dhe të ketë shikueshmëri të mirë.

Realiteti duket ndryshe. “Në fakt është goxha ngrohtë. Prisnim të ishte shumë më ftohtë,” thotë Karli Poliziani, një amerikane që jeton në Milano. Ajo ndodhet në Cortina me të atin, i cili madje mendoi të dilte të dielën vetëm me një bluzë të trashë.

Parashikimet tregojnë se edhe ditët në vijim mund të kenë temperatura mbi mesataren gjatë garave olimpike, shton Pasotti.

Si ndikon moti në garat olimpike

Moti luan rol vendimtar në zhvillimin normal dhe sigurinë e sporteve dimërore, thotë Filippo Bazzanella, përgjegjës për shërbimet sportive dhe planifikimin në komitetin organizues. Temperaturat e larta mund të dëmtojnë shtresën e borës në pistat alpine, ndërsa shikueshmëria është thelbësore për garat. Lagështia dhe nxehtësia ndikojnë edhe në cilësinë e akullit në arenat e mbyllura.

Sipas tij, shikueshmëria dhe era janë dy faktorët që më shpesh mund të detyrojnë ndryshime në orarin e garave. Era mund të bëhet problem sigurie ose edhe drejtësie, si në biatlon, ku edhe ndryshimet e vogla mund të prishin saktësinë e gjuajtjes së sportistëve.

Skiatorja amerikane Jackie Wiles tha se shumë gara këtë vit kanë qenë sfiduese për shkak të motit.

“Mendoj se jemi mjaft të përgatitur mendërisht, sepse shumë sportistë mund të ndikohen menjëherë nga këto kushte,” u shpreh ajo në një konferencë për shtyp javën e kaluar. “Duhet ta pranosh se si do të jetë moti dhe të dalësh në pistë për të luftuar fort, pavarësisht gjithçkaje.”

/Motilokal.com