AUV ndalon përkohësisht këtë formulë për foshnje

AUV ndalon përkohësisht këtë formulë për foshnje

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë njofton opinion se ka marrë vendim për ndalimin e përkohshëm të importit të të gjitha llojeve të qumështit të përpunuar për foshnje “APTAMIL” në Kosovë. Ky vendim është bazuar në njoftimet e shpeshta të pranuara nga Sistemi i Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF), sipas të cilave disa vende të BE-së, përfshirë Kosovën, po përballen me situatën që ka të bëjë me praninë e mundshme të toksinës Cereulide në këtë produkt.

AUV thekson se përmes njoftimeve të publikuara gjatë ditëve të fundit janë dhënë sqarime të plota lidhur me produktin për fëmijë APTAMIL, përfshirë edhe informacionin se cilat lloje të këtij produkti nuk mund të përdoren. Prandaj qytetarët nuk kanë arsye për shqetësim, pasi për sasinë e cila është futur me herët në Kosovë masat janë ndërmarrë në kohë dhe në mënyrë parandaluese.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, në koordinim me operatorët ekonomikë, ka realizuar tërheqjen nga tregu të produktit të paralajmëruar. Ndërkohë, inspektorët e AUV-së janë në terren dhe po vazhdojnë me gjurmueshmërinë e plotë, me qëllim verifikimin nëse ka mbetur ndonjë njësi e produkteve te parajmëruara si të pa përdorshme.

“Të gjitha veprimet e ndërmarra më parë por edhe ky vendim kanë prioritet mbrojtjen maksimale të shëndetit të foshnjave dhe konsumatorëve, ndërsa situata po menaxhohet me përgjegjësi të plotë dhe në koordinim të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë”, thuhet në njoftim.

Po ashtu AUV njofton të gjithë operatorët ekonomikë që veprojnë në Republikën e Kosovës për zbatimin e detyrueshëm të këtij vendimi.

Sipas njoftimit të AUV ky vendim hyn në fuqi nga sot, datë 11.02.2026 dhe zbatohet në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë do të vazhdojë të informojë publikun për çdo zhvillim të mëtejmë”, thekson AUV.

/Motilokal.com