BE me masa kundër mbeturinave tekstile, ndalohet asgjësimi i mallrave të pashitura

BE me masa kundër mbeturinave tekstile, ndalohet asgjësimi i mallrave të pashitura

Bashkimi Evropian po vendos rregulla të reja për të ndalur shkatërrimin e rrobave, aksesorëve dhe këpucëve që mbesin pa u shitur, me synimin për të ulur mbeturinat tekstile.

Ky ndalim hyn në fuqi më 19 korrik për kompanitë e mëdha, ndërsa bizneset e mesme do të përfshihen nga viti 2030, sipas Komisionit Evropian. Po atë vit, edhe kompanitë e mesme do të kenë detyrim të raportojnë për veshjet e pashitura që përfundojnë si mbeturina.

Çdo vit në Evropë shkatërrohen rreth 4 deri në 9 për qind e veshjeve të pashitura, duke prodhuar afërsisht 5.6 milionë ton emetime CO2. Vetëm në Francë, mallra me vlerë rreth 630 milionë euro hidhen çdo vit, ndërsa në Gjermani përfundojnë në mbeturina rreth 20 milionë artikuj të kthyer.

Komisionerja e Mjedisit, Jessika Roswall, tha se këto shifra tregojnë qartë se duhet vepruar. Sipas saj, masat e reja do ta shtyjnë industrinë e tekstilit drejt praktikave më të qëndrueshme, do ta rrisin konkurrueshmërinë dhe do të ulin varësitë.

Rregullat synojnë të pakësojnë mbeturinat, të kufizojnë dëmet ndaj mjedisit dhe të krijojnë kushte më të barabarta për kompanitë që ndjekin modele biznesi të qëndrueshme. Megjithatë, do të ketë disa përjashtime, për shembull kur produktet paraqesin rrezik ose janë të dëmtuara.

/Motilokal.com