Aktualisht, moti në Kosovë po shkon drejt një fundjave të lagësht. Reshjet e shiut pritet të dominojnë në shumicën e vendit, ndërsa temperaturat do të mbeten mbi zero, duke mos krijuar kushte që bora të qëndrojë në zonat e ulëta.
Ndryshim i lehtë mund të vijë nga e diela në mbrëmje dhe në fillim të javës së ardhshme, kur shiu herë pas here mund të përzihet me borë. Kjo pritet sidomos në orët e mëngjesit dhe të mbrëmjes, kur temperaturat zbresin rreth -1 deri në 2 gradë Celsius. Të hënën dhe të martën parashihen reshje të lehta bore në disa zona, kryesisht sipërfaqësore dhe pa krijuar shtresë të qëndrueshme.
Ndërkohë, në viset malore dimri mbetet më i pranishëm. Zona si Brezovica, Prevallla, Rugova dhe Brodi pritet të përfshihet nga reshje bore që këtë fundjavë dhe gjatë javës së ardhshme, pasi temperaturat atje bien vazhdimisht nën zero.
Për qytetet e ulëta, përfshirë Prishtinën, bora nuk duket se do të jetë prezente në mënyrë stabile. Gjithsesi, ditët e para të javës së ardhshme sjellin më shumë gjasa për fjolla të përkohshëm bore.
Edhe fundjava në Shqipëri pritet të dominohet nga mot i paqëndrueshëm, me reshje shiu që herë pas here mund të jenë më intensive. Vranësirat do të jenë të pranishme gjatë pjesës më të madhe të ditës, ndërsa temperaturat do të mbeten relativisht të buta për këtë periudhë.
Ndryshimi i motit parashihet të nisë nga java e ardhshme, kur pritet një rënie më e ndjeshme e temperaturave. Me depërtimin e ajrit më të ftohtë, reshjet e shiut gradualisht mund të shndërrohen në borë, fillimisht në zonat malore dhe më pas edhe në disa qytete të ulëta, veçanërisht gjatë orëve të mëngjesit dhe mbrëmjes.
Në veri dhe juglindje të vendit ka më shumë gjasa për reshje bore. Sipas parashikimeve aktuale, kjo valë e ftohtë mund të sjellë një atmosferë tipike dimërore në shumë pjesë të Shqipërisë, ndaj qytetarët këshillohen të kenë kujdes gjatë vozitjes.
/Motilokal.com
