Infektologu Visar Gashi tregon çfarë ndodh kur koka e rriqrës mbetet në lëkurë

Infektologu Visar Gashi tregon çfarë ndodh kur koka e rriqrës mbetet në lëkurë

Infektologu Visar Gashi ka ngritur alarmin për rrezikun nga pickimi i rriqrave, duke dhënë disa këshilla të rëndësishme përmes një postimi në Facebook, me rastin e rritjes së temperaturave dhe shtimit të rasteve të tilla.

Sipas tij, një nga shqetësimet më të shpeshta është situata kur pas largimit të rriqrës, në lëkurë mbeten pjesët e gojës së saj. Gashi ka sqaruar se nuk ka nevojë për panik, pasi kjo pjesë nuk përmban bakteret që transmetojnë sëmundje, sepse ato ndodhen në trupin e rriqrës dhe jo në aparatin thithës.

Ai ka theksuar se organizmi në shumicën e rasteve e largon vetë këtë pjesë, duke krijuar një reaksion të lehtë lokal, derisa trupi i huaj të dalë në sipërfaqe. Megjithatë, ai ka paralajmëruar që qytetarët të mos përpiqen ta largojnë me mjete të pa sterilizuara, pasi kjo mund të shkaktojë infeksion.

Infektologu ka këshilluar që zona të dezinfektohet dhe të vëzhgohet, ndërsa ndihma mjekësore duhet kërkuar vetëm nëse shfaqen shenja infeksioni, si ënjtje e madhe, qelb apo skuqje që zgjerohet.

Gashi gjithashtu ka bërë thirrje për kujdes të shtuar pas pickimit, duke theksuar se nëse brenda disa ditësh apo javësh shfaqen ethe, dhimbje në kyçe apo skuqje karakteristike, qytetarët duhet të konsultohen menjëherë me mjekun infektolog.

Ai ka rikujtuar se rriqra duhet larguar vetëm me pinca të posaçme dhe se përdorimi i vajit, alkoolit apo substancave të tjera para largimit mund ta rrisë rrezikun e infeksionit.


/Motilokal.com