Përdorimi i sigurt i pesticideve, siguri për konsumatorët dhe mundësi për eksportin e produkteve në Evropë

Përdorimi i sigurt i pesticideve, siguri për konsumatorët dhe mundësi për eksportin e produkteve në Evropë

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë kanë nisur një inspektim të përbashkët mbi importimin, tregtimin dhe përdorimin e kimikateve, biocideve dhe pesticideve. Veprimi ka për qëllim mbrojtjen e shëndetit publik, sigurinë ushqimore, mirëqenien e kafshëve dhe ruajtjen e mjedisit.

Gjatë inspektimeve u konstatua se disa operatorë ekonomikë kanë keqpërdorur sistemin e regjistrimit, duke paraqitur pesticide si biocide, përfshirë substanca të ndaluara nga direktivat ndërkombëtare.

Në këtë kuadër janë ndërmarrë masa konkrete dhe të pakthyeshme, duke konfiskuar produkte të dyshimta dhe rritur kontrollin mbi tregun, në përputhje me standardet evropiane dhe ligjet vendore.

Motilokal ka biseduar me Muharrem Shahini, shef i Zyrës për Informim në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, i cili tha se institucioni ka njoftuar të gjitha institucionet relevante lidhur me dilemat që janë shfaqur gjatë importit, tregtimit dhe përdorimit të produkteve për mbrojtjen e bimëve që janë importuar dhe trajtuar si biocide.

Ai deklaroi se Agjencia ka paraqitur kërkesa zyrtare për sqarime dhe ka ndërmarrë veprime konkrete, duke njoftuar Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për marrjen e masave për kontrollin dhe menaxhimin e kësaj kategorie produktesh, si dhe ka kërkuar rishqyrtimin e lejeve të importit për biocide.

Shahini theksoi se, bazuar në vlerësimet profesionale dhe konstatimet në terren, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë i ka shpallur të pavlefshme lejet e importit për biocide të lëshuara deri më tani, në rastet kur është konstatuar ose dyshuar tendenca e përdorimit të tyre në bujqësi dhe ka udhëzuar inspektorët në pikat kufitare që të mos bazohen më vetëm në lejet e importit (për shkak të tendencave për abuzim), por të vlerësojnë destinimin real të përdorimit të produkteve.

“Me qëllim të ndalimit të kësaj dukurie dhe harmonizimit të kompetencave institucionale, Agjencia a e Ushqimit dhe Veterinarisë i ka rekomanduar Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, të rishqyrtojë dhe, nëse konstatohet kundërshtim me ligjin, të revokojë lejet e lëshuara për substanca që janë të ndaluara në Bashkimin Evropian si dhe të vendosë kufizime të qarta dhe të detyrueshme për qëllimin e importit dhe përdorimit të këtyre produkteve”, tha Shahini.

Tutje, Shahini bëri të ditur se AUV ka propozuar që të sigurohet trajtimi ligjor i produkteve bazuar në qëllimin real të përdorimit, si në vijim:

  • Nëse qëllimi është veterinar apo human, të trajtohen sipas legjislacionit përkatës;
  • Nëse qëllimi është bujqësor, të trajtohen sipas legjislacionit për Produktet për Mbrojtjen e Bimëve;
  • Të vendosen rregulla strikte dhe të detajuara për produktet biocide;
  • Të nxirret një akt nënligjor specifik që përcakton qartë përdoruesit, rrethanat dhe qëllimin e përdorimit, si dhe kushtet për regjistrim, import dhe vendosje në treg;
  • Të ndalohet në mënyrë eksplicite trajtimi i dyfishtë i produkteve.

Sipas tij, tashmë Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka ndërmarrë hap të rëndësishëm  institucional duke formuar grupin punues ndërinstitucional për hartimin e Udhëzimit Administrativ për procedurat dhe kriteret e regjistrimit dhe autorizimit të produkteve biocide. Qëllimi i këtij Udhëzimi Administrativ është parandalimi i trajtimit të dyfishtë të produkteve dhe vendosja e rregullave të qarta për regjistrimin, importin, vendosjen në treg dhe mbikëqyrjen e përdorimit të biocideve.

“Gjithashtu vlen të theksohet theksohet në mënyrë qartë se produktet biocide, pa marrë parasysh formulimin kimik apo përbërjen e tyre, nuk duhet dhe nuk mund të destinohen për përdorim në bujqësi, përfshirë mbrojtjen e bimëve, nëse nuk i janë nënshtruar procedurave të verifikimit paraprak, regjistrimit dhe autorizimit nga MBPZHR-AUV, në përputhje me legjislacionin në fuqi për Produktet për Mbrojtjen e Bimëve”, deklaroi ai.

Shahini paralajmëroi se çdo ridestinim i produkteve biocide nga operatorët ekonomikë, qoftë gjatë importit, tregtimit apo përdorimit në terren, nëse nënkupton përdorim bujqësor pa autorizim nga MBPZHR-AUV, përbën shkelje ligjore.

“Në këto raste, përgjegjësia ligjore bie mbi operatorët ekonomikë dhe subjektet përkatëse. Shkelësit do të ndëshkohen në përputhje me dispozitat e legjislacionit në fuqi, përfshirë masat administrative, ndalimin e produktit, procedura të tjera ligjore si dhe revokimin e licencave”, theksoi zëdhënësi i AUV për Motilokal.

Për të kuptuar sa të rrezikshme janë pesticidet dhe çfarë pasojash mund të kenë për shëndetin dhe mjedisin, Motilokal.com realizoi një intervistë me prof. dr. Arben Mehmeti nga Departamenti i Mbrojtjes së Bimëve në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë të Universitetit të Prishtinës.

Si e vlerësoni situatën aktuale të përdorimit të pesticideve në Kosovë? A ka kontroll të mjaftueshëm?

Përdorimi i pesticideve në vendin tonë është në rritje. Për këtë arsye, nevojiten përpjekje më të mëdha për kontrolle më të shpeshta, përdorimin e sigurt të pesticideve, duke filluar nga fermerët, importuesit, shitësit e pesticideve, politikbërësit dhe institucionet hulumtuese.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë është përgjegjëse për kontrollin e pesticideve, tregtimin, etiketimin dhe deponimin e tyre, si dhe për inspektimet në terren, kontrollin e produkteve të importuara dhe marrjen e mostrave sipas planit kombëtar të kontrollit dhe testimit të mbetjeve të pesticideve në produktet bujqësore, për të siguruar që nivelet janë brenda normave të lejuara.

Megjithatë, fermerët duhet të informohen dhe të udhëzohen më shumë lidhur me aplikimin e pesticideve, përfshirë kohën e aplikimit, dozën, karencën, kalibrimin e pajisjeve për spërkatje dhe kombinimin e pesticideve të caktuara. Pra, është i domosdoshëm edukimi i fermerëve për praktika të sigurta dhe efikase në përdorimin e pesticideve.

Cilat janë rreziqet kryesore për shëndetin e popullatës nga ekspozimi/përdorimi ndaj pesticideve?

Doza e rekomanduar për aplikimin e pesticideve është e ndryshme për kulturat perimore, lavërtare dhe pemëtore dhe varet nga lloji i pesticidit, si insekticid, fungicid, herbicid etj., substanca aktive, lloji i kulturës si domate, spec, grurë, misër, patate, mollë, dardhë etj., si dhe nga faza e rritjes së bimës.

Doza përcaktohet nga prodhuesi dhe në çdo etiketë dhe udhëzues të pesticideve, konform legjislacionit përkatës në Kosovë, shënohen dozat e rekomanduara për përdorim. Fermerët duhet t’i respektojnë plotësisht këto doza gjatë aplikimit të pesticideve.

Tejkalimi i dozës së rekomanduar mund të sjellë disa rreziqe për konsumatorët, nëse mbetjet e pesticideve kalojnë kufirin e Mbetjeve Maksimale të Lejuara MML, që në BE njihet si Maximum Residue Levels MRL.

Mbetjet eventuale mund të shkaktojnë helmime akute dhe kronike, si dhe rreziqe për mjedisin, pasi dëmtohen insektet e dobishme si bletët, ndotet toka dhe ujërat, zhvillohet rezistencë te dëmtuesit dhe dëmtohen mikroorganizmat e tokës. Gjithashtu mund të dëmtohen edhe bimët, duke shkaktuar djegie të gjetheve, ulje të prodhimit dhe stres për bimën.

Me rëndësi shumë të madhe është edhe karenca, që është periudha nga spërkatja deri në kohën kur lejohet vjelja e produkteve. Prandaj, karenca duhet të respektohet plotësisht para vendosjes së produkteve në treg.

MML është kufiri maksimal i lejuar i mbetjeve të një pesticidi në produkte të ndryshme bujqësore, i shprehur zakonisht në mg/kg ppm. Ky kufi tregon sasinë më të lartë të mbetjes që lejohet ligjërisht në një produkt, kur pesticidi është përdorur sipas udhëzimeve të sakta, përfshirë dozën, intervalin dhe afatin e karencës.

A ka të dhëna se në produktet bujqësore vendore shfaqen mbetje pesticidesh mbi normat e lejuara?

Nëse një produkt vërtetohet se ka mbetje nën kufirin e Mbetjeve Maksimale të Lejuara MML, ai konsiderohet i sigurt për konsum. MML nuk është kufi toksik, por kufi ligjor i sigurisë, i vendosur me një margjinë të madhe mbrojtëse. Nëse ky kufi tejkalohet, produkti konsiderohet jashtë përputhjes me ligjin dhe tregon se pesticidi nuk është përdorur sipas rregullave.

Për shembull, nëse MML për një pesticid në lakër është 0.4 mg/kg:

• 0.4 mg/kg është brenda kufirit dhe konsiderohet e pranueshme

• 0.6 mg/kg është tejkalim dhe konsiderohet e papranueshme

Duhet të kemi parasysh se kur pesticidet përdoren sipas udhëzimeve, pra sipas dozës së përcaktuar nga prodhuesi në etiketë, me respektimin e karencës dhe kur përdoret pesticid i regjistruar sipas legjislacionit në fuqi në Kosovë, ato konsiderohen të sigurta për konsumatorin, sepse mbetjet nuk tejkalojnë kufijtë e përcaktuar.

Për këtë arsye kryhen analiza të mbetjeve të pesticideve në produkte të ndryshme bujqësore, pasi autoritetet kombëtare duhet të verifikojnë nëse mbetjet janë brenda kufirit maksimal të lejuar MML. Në të kaluarën janë raportuar disa raste të mbetjeve të pesticideve në vendin tonë.

Sa të informuar janë fermerët për përdorimin e sigurt të pesticideve dhe zbatimin e periudhave të karencës?

Në Kosovë, niveli i informacionit dhe njohurive të fermerëve për përdorimin e sigurt të pesticideve nuk është në nivel të kënaqshëm. Megjithatë, kohët e fundit janë mbajtur disa trajnime për përdorimin e sigurt të pesticideve nga shërbimet këshillimore shtetërore dhe private. Gjithashtu, janë organizuar trajnime edhe për trajnerë të rinj dhe për kompani që tregtojnë pesticide, lidhur me transportin, deponimin, aplikimin e sigurt të pesticideve dhe mbrojtjen e shëndetit të fermerëve që i aplikojnë ato.

Problemi kryesor mbetet se disa fermerë nuk i respektojnë udhëzimet për aplikimin e pesticideve, përfshirë edhe karencën. Prandaj, kërkohet angazhimi i të gjithë sektorit për trajnimin dhe ndërgjegjësimin e këtyre fermerëve në mbarë vendin.

A ka nevojë për më shumë kapacitete laboratorike/inspektime, dhe nëse po, çfarë duhet të përmirësohet?

Pjesa më e ndjeshme mbeten laboratorët për analizimin e mbetjeve të pesticideve, pasi aktualisht shumë pak laboratorë shtetërorë dhe privatë kryejnë këto analiza. Prandaj, ka nevojë për forcim të mëtejshëm të kapaciteteve laboratorike dhe inspektuese, me theks të veçantë në përgatitjen e kuadrove të specializuara për mbetjet e pesticideve dhe në shtimin e numrit të inspektorëve fitosanitarë.

Duhet të rritet numri i testimeve për më shumë substanca aktive, si dhe të përfshihen pesticidet e reja dhe metabolitët e tyre. Po ashtu, nevojiten pajisje moderne si LC MS MS dhe GC MS MS, validimi dhe akreditimi i metodave, si dhe përditësimi i vazhdueshëm i tyre sipas standardeve të Bashkimit Evropian. Është e domosdoshme të shtohet edhe numri i mostrave për analiza, të monitorohen më shumë kulturat me rrezik të lartë dhe të forcohet kontrolli ndaj pesticideve të palicencuara ose të kontrabanduara, në bashkëpunim edhe me doganat.

Në të ardhmen, duhet të hartohen plane që të gjithë fermerët të mbajnë regjistër elektronik ose të shkruar për aplikimin e pesticideve, të ofrohen shërbime më të shpeshta këshillimore në terren dhe të forcohet bashkëpunimi mes akademisë, kompanive, fermerëve dhe institucioneve për zbatimin e praktikave të mira. Gjithashtu, është e nevojshme të vendosen trajnime obligative për përdoruesit profesionalë dhe licencimi i aplikuesve të pesticideve.

/Motilokal.com