Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar se gjatë natës ka pasur reshje shiu me intensitet mesatar, ndërsa në orët e para të mëngjesit reshjet e borës kanë përfshirë zonat veriore mbi 800 metra lartësi dhe juglindjen e vendit.
Sipas njoftimit, reshje dëbore janë regjistruar në akset Bajram Curri–Valbonë, Ura e Bujanit–Qafë Morinë, Fierzë–Bajram Curri, Kukës–Krumë, Kukës–Shishtavec, Hani i Hotit–Vermosh dhe Bogë–Theth. Po ashtu, dëborë ka pasur edhe në segmentet Qukës–Qafë Plloçë, Korçë–Voskopojë, Korçë–Ersekë dhe Ersekë–Tre Urat.
Autoritetet bëjnë të ditur se, me përjashtim të zonës së Qafë Thorës, e cila vijon të jetë e bllokuar si pasojë e rënies së vazhdueshme të ortekëve, të gjitha akset e tjera janë të hapura dhe qarkullimi po zhvillohet normalisht.
Kontraktorët ndodhen në terren me mjete dhe punëtorë, duke punuar për pastrimin e rrugëve dhe shpërndarjen e kripës për të parandaluar ngricat.
Ndërkohë, drejtuesit e mjeteve këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, si dhe të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë, veçanërisht në akset ku ka prezencë bore.
/Motilokal.com
