Kafeja në rrezik, klima po godet prodhimin

Kafeja në rrezik, klima po godet prodhimin

Prodhimi i kafesë po përballet me një kërcënim serioz nga ngrohja globale, sidomos në vendet kryesore prodhuese. Një analizë e Climate Central tregon se ndryshimi i klimës po rrezikon të korrat pothuajse në çdo rajon ku kultivohet kafeja.

Shtete si Brazili, Vietnami, Kolumbia, Etiopia dhe Indonezia kanë pasur mesatarisht 57 ditë më shumë në vit me temperatura të larta që dëmtojnë bimët e kafesë. Mes viteve 2021 dhe 2025, 25 vendet kryesore prodhuese, që përfaqësojnë pothuajse gjithë prodhimin botëror, kanë regjistruar rreth 47 ditë në vit me nxehtësi mbi nivelin e sigurt për kultivim.

Temperatura kritike është rreth 30°C. Kur tejkalohet ky prag, bimët pësojnë stres nga nxehtësia, prodhimi bie, cilësia e kokrrave dobësohet dhe rritet rreziku nga sëmundjet.

Çmimet nën presion

Ndryshimet klimatike po ndikojnë drejtpërdrejt në furnizimin global dhe po shtyjnë çmimet lart. Rreth 80% e kafesë prodhohet nga ferma të vogla familjare, të cilat kanë shumë pak mundësi për t’u përshtatur. Në vitin 2021, ato përfituan vetëm 0.3% të fondeve të nevojshme për t’u përballur me pasojat e klimës.

Ekspertët paralajmërojnë se pa mbështetje financiare dhe masa konkrete për fermerët, prodhimi i kafesë do të bëhet gjithnjë e më i pasigurt dhe çmimet mund të vazhdojnë të rriten në tregun global.

/Motilokal.com