Përmbytjet kanë përfshirë Francën, duke thyer rekordin 66-vjeçar për periudhën më të gjatë të reshjeve. Katër departamente perëndimore mbeten në alarm të kuq, ndërkohë që kryeministri Sebastien Lecornu bëri thirrje për “mobilizim total”.
“Përmbytjet në Francën perëndimore kërkojnë mobilizim total. Shteti është angazhuar menjëherë, pa vonesë dhe pa ndërprerje, në krah të banorëve dhe bashkive të prekura. Janë nisur procedurat për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore”, shkroi Lecornu në platformën sociale X.
Sipas Meteo-France, departamentet Maine-et-Loire, Charente-Maritime, Gironde dhe Lot-et-Garonne janë në alarm të kuq për rrezik përmbytjesh. Rajoni Angers në Maine-et-Loire është goditur veçanërisht rëndë, me lumenj që kanë dalë nga shtrati dhe kanë përmbytur rrugë e banesa.
Edhe lumi Seine ka dalë nga shtrati në Paris, por situata është më e menaxhueshme se në perëndim. Disa akse kryesore në kryeqytet janë mbyllur si masë paraprake. Ndërkohë, stuhia Pedro ka shkaktuar ndërprerje në trafikun hekurudhor në pjesë të Francës perëndimore.
Franca ka regjistruar 35 ditë rresht reshje shiu, periudha më e gjatë e pandërprerë që nga viti 1959. Meteo-France paralajmëron gjithashtu për rrezik të lartë ortekësh në Alpe, me mundësi përkeqësimi të situatës në nivele “kritike”.
/Motilokal.com
