Reshjet e shiut në orët e para të mëngjesit kanë përfshirë pothuajse të gjithë territorin e vendit, duke sjellë rënie gurësh dhe inertesh në disa segmente rrugore, përfshirë aksin Lukovë‑Shenvasil. Megjithatë, sipas njoftimit zyrtar, qarkullimi i mjeteve nuk është penguar.
Ndërkohë, reshje bore janë regjistruar vetëm në zonat malore, konkretisht në akset Boboshticë‑Dardhë dhe Bogë‑Theth.
Problematike paraqitet situata në zonën e tuneleve në Qafë Thore, ku për shkak të sasisë së madhe të borës dhe rritjes së temperaturave në rreth 0°C, janë aktivizuar ortekë që kanë bllokuar qarkullimin e automjeteve.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar për shkak të lagështisë në rrugë dhe të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë, veçanërisht gjatë lëvizjes në zonat malore ku ka prezencë bore.
/Motilokal.com
