Reduktohet përdorimi i qeseve të plastikës në Kosovë

Reduktohet përdorimi i qeseve të plastikës në Kosovë

Sipas raportit të fundit të publikuar nga Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit mbi përdorimin e qeseve plastike në Kosovë, masat e zbatuara sipas UA Nr. 07/2023 kanë sjellë ndryshime të dukshme në sjelljen e konsumatorëve dhe tregun e pakicës brenda një periudhe të shkurtër. Vendosja e tarifës prej 0.05 € për çdo qese plastike të lehtë ka ndikuar në uljen e ndjeshme të përdorimit të tyre dhe ka krijuar një normë të re mjedisore në rrjetet formale të shitësve me pakicë.

Të dhënat tregojnë se konsumi mesatar vjetor për vitin 2024 ishte rreth 55 qese plastike për person, më i ulët se mesatarja e Bashkimit Evropian (66.6 qese për person) dhe shumë më poshtë se targeti i UA Nr. 07/2023 për vitin 2024, i cili ishte 180 qese për person.

Vlerësimi analizoi përputhshmërinë e shitësve me pakicë, koordinimin institucional, sjelljen e konsumatorëve dhe ndikimin e politikës në reduktimin e mbeturinave plastike. Ai u bazua në të dhëna sasiore dhe cilësore, duke përfshirë regjistrat institucionalë, anketat, vizitat në terren, intervistat dhe diskutimet në grup fokus.

Raporti ofron një bazë të fortë për vendimmarrjen e ardhshme politike dhe për forçimin e mekanizmave të zbatimit, duke mbështetur përparimin e Kosovës drejt një ekonomie qarkore dhe standardeve mjedisore të përafruara me Bashkimin Evropian.

Ky vlerësim u realizua me mbështetjen e GIZ dhe pasqyron diskutimet gjatë vitit 2024 ndërmjet institucioneve, palëve të interesit dhe ekspertëve të angazhuar.

/Motilokal.com