Turizmi shqiptar prezantohet para 40 shteteve në Berlin

Turizmi shqiptar prezantohet para 40 shteteve në Berlin

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, mori pjesë në Ministerialin e Turizmit të organizuar nga UN Tourism në Berlin, në kuadër të ITB Berlin, panairit më të madh në botë për turizmin.

Takimi u zhvillua një ditë para hapjes zyrtare të panairit dhe mblodhi ministra e përfaqësues qeveritarë nga rreth 40 shtete. Në fokus ishin zhvillimi i qëndrueshëm, rritja e konkurrueshmërisë dhe promovimi i destinacioneve të reja në tregun global.

Gonxhja tha se Shqipëria prezantohet me një pavijon serioz dhe me përfaqësim të gjerë nga turoperatorë, institucione qendrore e vendore, si dhe organizata të sektorit. Sipas tij, ditët në vijim do të jenë intensive, me takime dhe promovim përpara mediave ndërkombëtare dhe partnerëve të industrisë.

Gjatë diskutimeve u theksua rëndësia e investimeve dhe e ofertave që sjellin autenticitet dhe përvoja unike për vizitorët. Tema e këtij ministeriali iu kushtua pikërisht fuqizimit të destinacioneve të reja, ku Shqipëria u paraqit si një treg në rritje dhe me potencial të qartë në rajon.

“Me natyrën, trashëgiminë, kulturën dhe mikpritjen tonë, vijmë në Berlin me një ofertë autentike dhe me një histori suksesi që meriton vëmendje”, u shpreh ministri.

Pjesëmarrja në ITB Berlin synon forcimin e lidhjeve me partnerët ndërkombëtarë, zgjerimin e bashkëpunimeve dhe rritjen e numrit të turistëve që zgjedhin Shqipërinë. Përfaqësuesit shqiptarë do të zhvillojnë një seri takimesh me profesionistë të industrisë dhe partnerë strategjikë nga vende të ndryshme, me qëllim promovimin e destinacioneve të vendit dhe konsolidimin e pozicionit të Shqipërisë si një nga tregjet më dinamike të turizmit në rajon.

/Motilokal.com