Ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka nënshkruar vendimin për caktimin e çmimeve të produkteve të naftës, pas rritjes së menjëhershme të derivateve si pasojë e zhvillimeve në Lindjen e Mesme. Ajo e ka cilësuar këtë hap si të domosdoshëm për mbrojtjen e konsumatorëve dhe ruajtjen e konkurrencës së drejtë në treg.
Sipas saj, vendimi erdhi pas monitorimit të vazhdueshëm të tregut, analizës së të dhënave ditore nga Dogana e Kosovës dhe raporteve të Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut. Nga këto të dhëna është konstatuar se rritjet e çmimeve në import janë reflektuar menjëherë edhe në çmimet e shitjes në vend.
Me vendimin e ri përcaktohet marzha maksimale e lejuar:
Shitja me shumicë deri në 2 eurocentë për litër
Shitja me pakicë deri në 12 eurocentë për litër
Inspektorët do të dalin në terren për të mbikëqyrur zbatimin e këtij vendimi. Llogaritja e marzhës do të bëhet sipas nenit 4 të Udhëzimit Administrativ Nr. 03/2022 për rregullimin e çmimeve të produkteve të naftës dhe karburanteve të ripërtëritshme.
Vendimi hyn në fuqi një ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, ndërsa çdo shkelje do të trajtohet sipas legjislacionit në fuqi. Sipas ministres, qëllimi është stabilizimi i tregut dhe mbrojtja e konsumatorëve.
/Motilokal.com
