Temperatura mesatare e ajrit për muajin prill të vitit 2020 në Kosovë

Temperatura mesatare e ajrit për muajin prill të vitit 2020 në Kosovë

Përpunoi: Mendim Rugova - Ish - Koordinator Nacional për Ndryshime Klimatike dhe Çështje të Ambientit

Siç bëri të ditur Shërbimi për Ndryshime Klimatike Copernicus gjatë muajit prill 2020 në shumicën e shteteve europiane temperaturat ishin mbi vlera mesatare. Në Zvicër ishte 3C më e lartë nga mesataret e periudhës 1991-2020 dhe më shumë se 5C më ngrohtë se mesataret e periudhës 1871-1900.

Në pjesët e tjera të kontinentit, sidomos në lindje temperaturat ishin diç më të ftohta nga vlerat mesatare.

Në aspektin global temperaturat ishin më të larta nga mesataret gjatë muajit prill të vitit 2020, duke e bërë këtë muaj të prillit një prej dy ndër më të ngrohtit sipas shënimeve zyrtare. Ky muaj ishte:

- 0.7C më i ngrohtë nga mesataret mujore të muajit prill për periudhën 1981-2010;

- më i ftohtë se prilli i vitit 2016, që mbetet prilli më i ngrohtë në këtë dataset, me vetëm 0.01C

- më i ngrohtë për 0.08C nga prilli i viti 2019, prilli i tretë më i ngrohtë në aspektin global

Mirëpo në Kosovë ky muaj nuk ishte shumë i ngrohtë, Sipas shënimeve të ERA-5 datasetit, ky muaj:

- Ishte vetëm +0.2C më i ngrohtë nga mesataret mujore të prillit për periudhën 1981-2010;

- nuk është as në Top 20 vitet më të ngrohta, nga viti 1979, viti fillestar në të cilat ky dataset bazohet;

- më i ftohtë për 1.1C krahasuar me prillin e vitit paraprak 2019;

Sipas këtyre shënimeve prilli më i ngrohtë mbetet ai i vitit 2018 dhe 2016, me +4.8C, respektivisht +3.3C, krahasuar me mesataret e periudhës 1981-2020. Po sipas këtij dataseti top 10 muajt prill më të ngrohtë ndër vite janë si vijon:

1. 2018, +4.8C

2. 2016, +3.3C

3. 1989, +2.4C

4. 2013, +2.2C

5. 2000, +2.2C

6. 1986, +2.1C

7. 1983, +1.9C

8. 2009, +1.7C

9. 2007, +1.6C

10. 2004, +1.3C

Ndërkaq, prilli më i ftohtë, siç shihet nga ky dataset është ai i vitit 1997, me -4.9C më pak se mesataret 1981-2010.

Sa i përket ecurisë së anomalive të temperaturave mujore përgjatë katër muajve të vitit 2020, në përgjithësi mbeten në tendenca pozitive, nga +0.8C gjatë muajit janar, derisa muaji shkurt ishte +3.1C më i ngrohtë nga mesataret shumëvjeçare. Megjithë këtë anomali të lartë gjatë muajit shkurt, mbetet ai i vitit 2016, si shkurti më i nxehtë me plot +6.1C.

Në aspektin e të reshurave, megjithëse gjatë muajit prill kishte të reshura të bollshme, sipas vlerësimeve satelitore, ato ishin përreth 30% më të ulëta në shtrirje territoriale të vendit tonë./Motilokal.com