Shpëtohet një shtetase italiane në zonën e Brezovicës

Shpëtohet një shtetase italiane në zonën e Brezovicës

Një shtetase italiane është shpëtuar pas një aksidenti që ka ndodhur gjatë skive në zonën malore të Brezovicës, pranë kufirit mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës njoftoi se më 7 mars 2026 ka pranuar një thirrje për ndihmë pasi një grup turistësh italianë po skijonin në zonën ndërmjet Majës së Gurit të Zi dhe Majës së Liqenit. Gjatë skive, njëra nga pjesëmarrëset pësoi frakturë në këmbë, duke mbetur e pamundur të lëvizte nga vendi i aksidentit.

Në vendngjarje janë angazhuar dy ekipe të kërkim-shpëtimit nga qendra e skive në Brezovicë. Ekipi i parë ka reaguar menjëherë duke ofruar ndihmën e parë dhe duke bërë imobilizimin e të lënduarës. Ndërkohë, ekipi i dytë është bashkuar me pajisje shtesë për evakuimin e saj nga zona malore.

Për shkak se vendi i aksidentit ndodhej në një zonë të izoluar dhe brenda territorit të Maqedonisë së Veriut, është vendosur që transportimi i të lënduarës të bëhet me helikopter, në bashkëpunim me autoritetet e këtij shteti.

Gjatë gjithë operacionit ka pasur koordinim edhe me Ambasadën e Italisë në Kosovë, Ambasadën e Italisë në Maqedoninë e Veriut si dhe Agjencinë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS Tirana). Operacioni është mbështetur gjithashtu nga menaxhmenti i Qendrës së Skive në Brezovicë.


/Motilokal.com