Inspektorati me mbikëqyrje intensive për çmimin e derivateve në treg

Inspektorati me mbikëqyrje intensive për çmimin e derivateve në treg

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, ka njoftuar se është duke zhvilluar mbikëqyrje intensive në tregun e derivateve të naftës në Kosovë. Kjo po bëhet për të monitoruar zbatimin e vendimit për rregullimin e përkohshëm të çmimeve dhe vendosjen e masave mbrojtëse, të nënshkruar më 4 mars 2026 nga ministrja Mimoza Kusari Lila.

Sipas njoftimit, qëllimi i këtij vendimi është mbrojtja e konsumatorëve, rritja e transparencës në treg, garantimi i konkurrencës së ndershme dhe shmangia e çrregullimeve në tregun e karburanteve.

IQMT ka bërë të ditur se, së bashku me Administratën Tatimore të Kosovës, është duke analizuar të dhënat që lidhen me çmimet e importit dhe çmimet që u ofrohen konsumatorëve në tregun vendor.

Sipas evidencave zyrtare të siguruara nga Dogana e Kosovës, çmimi mesatar i importit për derivatet e naftës gjatë ditës së shtunë, më 7 mars 2026, ka qenë:

  • Naftë (dizel): 1.40 euro për litër
  • Benzinë: 1.14 euro për litër

Ndërkohë, nga monitorimi në tregun vendor, çmimet e ekspozuara për konsumatorët në pikat e shitjes me pakicë rezultojnë:

  • Naftë (dizel): nga 1.39 deri në 1.55 euro për litër
  • Benzinë: nga 1.27 deri në 1.32 euro për litër

Vendimi i 4 marsit përcakton edhe marzhën maksimale të lejuar tregtare. Ajo është:

  • 2 euro centë për litër për shitjen me shumicë
  • 12 euro centë për litër për shitjen me pakicë

Marzha tregtare nënkupton diferencën mes çmimit të shitjes dhe çmimit të furnizimit.

Sipas IQMT-së, inspektorët kanë qenë në terren gjatë vikendit dhe edhe në ditët e javës së kaluar. Kontrollet do të vazhdojnë në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës, Doganën e Kosovës dhe Autoritetin e Konkurrencës së Kosovës.

Institucioni paralajmëron se në çdo rast kur identifikohen parregullsi, si mosrespektimi i marzhës së lejuar apo praktika që dëmtojnë konkurrencën dhe konsumatorët, do të ndërmerren masa sipas legjislacionit në fuqi.

IQMT ka bërë të ditur se qytetarët e Republikës së Kosovës do të informohen me kohë për çdo zhvillim të mëtejmë në tregun e derivateve të naftës.

/Motilokal.com