Shqiponja e malit shfaqet në Malet e Sharrit, kapet në fotografi një moment i rrallë

Shqiponja e malit shfaqet në Malet e Sharrit, kapet në fotografi një moment i rrallë

Shqiponja, simboli jonë kombëtar, një shpend madhështor i maleve tona, është fotografuar në Malet e Sharrit nga syri i aparatit të Adon Pajaziti një vajzë e pasionuar pas natyrës dhe jetës së egër.

“Pas 11 orë pritjeje, vullnet dhe durim në Malet e Sharrit, dje me shokun tim Granit Ahmeti, arritëm një moment që vështirë përshkruhet me fjalë. Nga një “hide” i improvizuar dhe në një distancë shumë të afërt, pata fatin të përjetoj dhe të fotografoj mbretëreshën e qiellit, shqiponjën e malit. Një takim i rrallë me një nga krijesat më madhështore të natyrës, momente që ndoshta rrallë ndodhin në jetë. Natyra nuk të jep gjithmonë atë që kërkon… por kur të shpërblen, ta lë pa fjalë. Shqiponja e malit - Aquila chrysaetos”, shkruan Adon Pajaziti.

Disa të dhëna të përgjithshme të Shqiponjës së Malit nga Libri i Kuq i Faunës:

Madhësia e këtij lloji është 66–90 cm, mashkulli peshon 2840–4550 g, femra 3630–6665 g (rrallë deri në 7200 g), kurse hapja e krahëve është 180–234 cm. Femra peshon rreth 50% më shumë se mashkulli dhe është rreth 10% më e madhe se mashkulli. Si të rritur janë kryesisht sedentarë, kurse gjatë disa viteve të para të jetës së tyre shtegtojnë. Gjuajnë pre të llojeve të ndryshme si: gjitarë, reptile, shpendë, ujëtokësorë, peshq etj.

Lloji i habitatit

Pyje të klimës mesatare. Shkurre të tipit mesdhetar. Kullosa të klimës mesatare. Zona shkëmbore, si shkëmbinj kontinentalë dhe maja malore. Ky lloj mund të gjendet në një gamë të gjerë habitatesh të rrafshëta ose malore, kryesisht të hapura dhe shpesh edhe mbi nivelin e drunjve, nga niveli i detit deri në rreth 4000 m.

Përhapja e përgjithshme

Lloji është i pranishëm përgjatë hemisferës veriore.

Përhapja në Kosovë

Zaplluxhë, Bajgorë, Gropa e Erenikut.

Popullata

Trendi i popullatës: i panjohur.

Arsyetimi i vlerësimit

Ky lloj është vlerësuar në kategorinë Skajshmërisht i Rrezikuar, pasi popullatat vendase janë në rënie për shkak të helmimit të qëllimshëm dhe të paqëllimshëm. Popullata është shumë e izoluar dhe numri i individëve të rritur vlerësohet të jetë 50 ose më pak.

Kërcënimet

Bujqësia dhe akuakultura, përfshirë plantacionet e drurit dhe pulpës. Prodhimi dhe minierat energjetike, përfshirë energjinë e ripërtërishme. Përdorimi i burimeve biologjike, si gjuetia dhe grumbullimi i kafshëve tokësore, përfshirë përdorimin e qëllimshëm dhe persekutimin apo kontrollin. Prerja dhe vjelja e pyjeve, si dhe efektet e paqëllimta nga shfrytëzimi në shkallë të vogël për jetesë. Kërcënime të tjera, veçanërisht helmimi.

Masat ekzistuese mbrojtëse

Lloji është i mbrojtur sipas Udhëzimit Administrativ Nr. 18/2012 për shpalljen e llojeve të egra të mbrojtura dhe strikt të mbrojtura. Disa nga zonat ku përhapet ky lloj janë zona të mbrojtura.

Masat e nevojshme mbrojtëse

Mbrojtja e tokës dhe ujit, përfshirë mbrojtjen e lokaliteteve dhe të habitateve. Menaxhimi i zonave ku gjendet lloji. Zbatimi i ligjit dhe politikave për mbrojtjen e tij.

Hulumtimi i nevojshëm

Studime për madhësinë, përhapjen dhe trendet e popullatës, si dhe për historinë e jetës dhe ekologjinë e llojit. Monitorim i vazhdueshëm i popullatës dhe i habitatit. Parandalimi dhe kontrolli i aktiviteteve helmuese.

/Motilokal.com