Kosova synon thellimin e bashkëpunimit ekonomik me Kanadanë në energji dhe miniera

Kosova synon thellimin e bashkëpunimit ekonomik me Kanadanë në energji dhe miniera

Ministrja e Ekonomisë e Republikës së Kosovës, Artane Rizvanolli, ka vlerësuar se partneriteti mes Kosovës dhe Kanadasë është shumë i mirë, duke theksuar se tashmë ekziston një bazë e fortë për të ndërtuar një bashkëpunim edhe më të thellë ekonomik. Sipas saj, mundësitë më të mëdha për bashkëpunim janë në sektorët e energjisë dhe të minierave.

Gjatë javës së kaluar, ministrja Rizvanolli së bashku me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, morën pjesë në konferencën ndërkombëtare të industrisë minerare PDAC 2026, e mbajtur në Toronto. Kjo është një nga ngjarjet më të mëdha globale për eksplorimin mineral dhe industrinë minerare, ku delegacioni nga Kosova zhvilloi takime me përfaqësues të lartë institucionalë dhe partnerë ndërkombëtarë.

Në kuadër të vizitës, ministrja Rizvanolli u takua me René Legacy, Zëvendëskryeministër i provincës së New Brunswick dhe ministër i Financave dhe Bordit të Thesarit, njëherësh edhe ministër i Energjisë. Në takim u shkëmbyen përvoja rreth politikave energjetike dhe zhvillimeve në këtë sektor.

Ajo zhvilloi takime edhe me Brian Jean, ministër i Energjisë dhe Mineraleve i provincës së Alberta, si dhe me Cory Hughes nga Ministria e Energjisë dhe Burimeve të Saskatchewan. Në këto diskutime u trajtuan mundësitë për bashkëpunim ekonomik, veçanërisht në sektorët e minierave dhe energjisë, si dhe hapat konkretë për realizimin e projekteve të përbashkëta.

Gjatë qëndrimit në Kanada, ministrja Rizvanolli u takua edhe me përfaqësues të Parlamentit kanadez, përfshirë Rob Oliphant, Claude Guay, Ahmed Hussen dhe Kyle Seeback. Në këto takime u diskutua për thellimin e bashkëpunimit dypalësh, mbështetjen politike për Kosovën dhe zhvillimet aktuale në vend.

Në margjinat e konferencës, ajo zhvilloi takime edhe me partnerë të tjerë ndërkombëtarë, përfshirë David Michael nga Qeveria e Australisë Perëndimore dhe Stéphane Séjourné nga Komisioni Evropian, ku u diskutua për zhvillimet në sektorët strategjikë dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.

Pjesëmarrja e Kosovës në PDAC 2026 u vlerësua si një mundësi e rëndësishme për të prezantuar potencialin e vendit në industrinë minerare dhe për të zgjeruar partneritetet ndërkombëtare në sektorë me rëndësi strategjike për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

/Motilokal.com