Ka nisur procesi për rikthimin e rrjedhës së lirë natyrore të lumenjve në Kosovë. Vendimi është marrë nga ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli.
Ky hap parasheh identifikimin dhe largimin gradual të pengesave të vjetruara në shtretërit e lumenjve. Bëhet fjalë për diga të vogla, pragje dhe struktura të tjera artificiale që tashmë janë jashtë funksionit dhe që ndikojnë negativisht në ekosistemet ujore.
Sipas ministres Pacolli, përmes këtij procesi synohet përmirësimi i cilësisë së ujit, rikthimi i migrimit natyror të faunës ujore dhe ulja e rrezikut nga përmbytjet. Ajo tha se shpesh përmbytjet shkaktohen nga bllokimi i mbeturinave dhe drunjve gjatë prurjeve të mëdha të ujit.
Rikthimi i rrjedhës së lirë të lumenjve konsiderohet një hap i rëndësishëm për mbrojtjen e ekosistemeve ujore dhe për një menaxhim më të qëndrueshëm të burimeve ujore në vend.
/Motilokal.com
