Zhurma shpërthimesh dhe alarme emergjence në telefona. Vendet e Gjirit po përballen me një realitet të ri pasi Teherani nisi sulme ndaj Katarit, Emirateve të Bashkuara Arabe, Arabisë Saudite, Kuvajtit, Bahreinit dhe Omanit, pas goditjeve amerikano-izraelite kundër Iranit.
Për banorët dhe turistët në rajon, një situatë e tillë dukej e paimagjinueshme vetëm pak ditë më parë. Ngjarje që zakonisht i shihnin të ndodhnin diku tjetër, tani janë bërë pjesë e përditshmërisë së tyre. Megjithatë, shumica po përshtaten shpejt, duke ndjekur udhëzimet e autoriteteve.
Qeveritë e vendeve të Gjirit reaguan menjëherë për të informuar dhe qetësuar popullsinë. Përmes njoftimeve dhe udhëzimeve publike, qytetarëve u është shpjeguar si të veprojnë në rast sulmesh dhe si të reagojnë gjatë operacioneve të mbrojtjes ajrore. Mediat në Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë publikuar gjithashtu materiale informuese dhe grafika shpjeguese për të ndihmuar njerëzit të kuptojnë situatën dhe të qëndrojnë të sigurt, shkruan Euronews.
Çfarë janë “bum-et” që dëgjohen në qiell?
Autoritetet shpjegojnë se zhurmat e forta që dëgjohen shpesh nuk janë shpërthime në tokë, por tingujt e sistemeve të mbrojtjes ajrore që shkatërrojnë raketa dhe dronë në ajër. Në disa raste, zhurma është aq e fortë sa mund të krijojë valë goditëse dhe të dridhë ndërtesat.
Vendet e Gjirit kanë disa nga sistemet më të avancuara të mbrojtjes ajrore në botë, të afta të zbulojnë dhe neutralizojnë kërcënimet para se ato të arrijnë objektivat e tyre.
A duhet të shqetësohet publiku?
Në Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite dhe Katar, shumë nga objektivat ajrore janë kapur nga sistemet Patriot, ndër më të avancuarat për mbrojtjen nga raketat tokë-ajër. Këto sisteme janë të provuara në situata reale lufte dhe përdoren gjerësisht për të ndalur raketat balistike.
Sipas zyrtarëve të rajonit, qëllimi i mbrojtjes ajrore është të neutralizojë kërcënimet sa më larg zonave të populluara. Shumica e interceptimeve ndodhin disa kilometra mbi tokë, shumë përpara se raketat të arrijnë objektivin e tyre.
Kur aktivizohen këto sisteme, shpesh dëgjohen shpërthime të forta dhe në qiell shihen shkëndija, sidomos gjatë natës. Edhe pse të frikshme në pamje dhe zhurmë, këto janë shenja se mbrojtja ajrore po funksionon.
Sa të shpejta janë raketat?
Raketat balistike janë ndër armët më të shpejta në luftën moderne. Ato mund të arrijnë shpejtësi rreth 3 kilometra në sekondë, rreth tetë herë më shpejt se shpejtësia e zërit. Pas një faze të shkurtër shtytjeje, ato ndjekin një trajektore të lakuar dhe mund të përshkojnë qindra kilometra brenda pak minutash.
Për këtë arsye, sistemet e mbrojtjes ajrore kanë vetëm pak kohë për të zbuluar raketën, për të llogaritur trajektoren dhe për të lëshuar interceptorët që e shkatërrojnë atë.
Ndryshe nga to, raketat lundruese fluturojnë më ulët dhe me trajektore më të sheshtë. Ato zakonisht lëvizin me rreth 800 deri në 900 kilometra në orë dhe shpesh qëndrojnë pranë tokës për të shmangur radarët.
Raketat balistike mund të jenë shumë të mëdha. Disa prej tyre arrijnë 8 deri në 12 metra gjatësi, afërsisht sa një autobus i vogël. Raketat lundruese janë më të vogla, zakonisht 5 deri në 7 metra.
Sa larg mund të zbulohen këto kërcënime?
Sistemet moderne të mbrojtjes ajrore në Gjirin Persik përdorin kombinim radarësh tokësorë, satelitësh paralajmërues dhe rrjeteve të përbashkëta rajonale për të zbuluar raketat dhe dronët.
Satelitët mund të identifikojnë pothuajse menjëherë nxehtësinë e lëshimit të një rakete balistike. Më pas, radarët tokësorë e gjurmojnë atë. Disa radarë të fuqishëm mund të zbulojnë raketa balistike deri në rreth 1.000 kilometra larg, në varësi të kushteve.
Dronët dhe raketat lundruese janë më të vështira për t’u zbuluar sepse fluturojnë më poshtë dhe janë më të vogla. Distanca e zbulimit për to mund të variojë nga rreth 50 kilometra deri në disa qindra kilometra.
Pse përdoren sisteme të shumëfishta mbrojtjeje?
Armë të ndryshme fluturojnë me shpejtësi dhe lartësi të ndryshme. Raketat balistike arrijnë lartësi të mëdha dhe zbresin me shpejtësi të madhe, ndërsa dronët dhe raketat lundruese lëvizin më ngadalë dhe shumë më pranë tokës.
Për këtë arsye, vendet e Gjirit përdorin sisteme të integruara mbrojtjeje në disa nivele. Sistemet që veprojnë në lartësi të mëdha kapin raketat balistike, ndërsa ato në lartësi të ulët synojnë dronët dhe raketat lundruese.
Nëse një sistem nuk arrin ta ndalë kërcënimin, një tjetër merr përsipër ta neutralizojë para se të arrijë në objektivin e tij.
Për njerëzit në tokë, shkëndijat në qiell dhe shpërthimet e papritura janë shpesh e vetmja shenjë e dukshme e një beteje të shpejtë që zhvillohet shumë lart mbi Gjirin Persik.
/Motilokal.com
