Turqia drejt ndalimit të plastikës njëpërdorimëshe

Turqia drejt ndalimit të plastikës njëpërdorimëshe

Turqia po planifikon të heqë gradualisht nga përdorimi plastikën njëpërdorimëshe, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, me synim uljen e ndotjes dhe përmirësimin e mbrojtjes së mjedisit.

Ministria e Mjedisit, Urbanizimit dhe Ndryshimeve Klimatike është duke finalizuar një rregullore të re të bazuar në direktivën e BE-së për plastikat njëpërdorimëshe, të miratuar në vitin 2019 për të reduktuar ndikimin e këtyre produkteve në mjedis dhe në shëndetin e njerëzve.

Sipas draftit, do të ndalohen disa produkte plastike të përdorimit të përditshëm, si takëmet plastike, pjatat, pipat dhe shkopinjtë e pambukut me bisht plastik. Qëllimi është ulja e ndjeshme e ndotjes nga plastika dhe nxitja e përdorimit të materialeve më të qëndrueshme.

Rregullorja pritet të hyjë në fuqi deri në fund të vitit, pas konsultimeve me përfaqësues të industrisë dhe organizata joqeveritare. Politika e re inkurajon përdorimin e alternativave si qelqi, porcelani, druri dhe kartoni.

Sipas vlerësimeve të ministrisë, masa mund të sjellë një ulje prej rreth 1.5 milion ton emetimesh karboni në vit, si dhe kursime prej rreth 44 milionë dollarësh në kostot e menaxhimit të mbeturinave.

Në fazat e ardhshme pritet të vendosen edhe rregulla më të rrepta për etiketimin dhe përdorimin e produkteve të tjera plastike, përfshirë gotat e pijeve, enët e ushqimit, pecetat e lagura dhe qeset plastike për transport.

Sipas të dhënave të vitit 2022, në Turqi janë konsumuar mbi 700 mijë tonë plastikë njëpërdorimëshe.

Mbështetja publike për këto masa duket e lartë. Një anketë e përbashkët e ministrisë dhe Institutit Turk të Statistikave tregon se mbi 76 për qind e qytetarëve mbështesin kufizimet për plastikën njëpërdorimëshe, ndërsa 80 për qind janë në favor të përdorimit të materialeve të ripërdorshme si metali dhe qeramika.

Nisma lidhet edhe me Strategjinë dhe Planin e Veprimit Kombëtar të Ekonomisë Rrethore të Turqisë, i cili hyri në fuqi më 20 tetor 2025 dhe synon uljen e plastikës njëpërdorimëshe, mbeturinave detare dhe mikroplastikës në vend deri në vitin 2028.

/Motilokal.com