Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka publikuar raportin vjetor për vitin 2025 mbi ndotjen e ajrit dhe ndikimin e saj në shëndetin e popullatës, duke paraqitur një analizë të situatës globale, rajonale dhe në Kosovë.
Sipas raportit, ndotja e ajrit mbetet rreziku më i madh mjedisor për shëndetin në nivel botëror dhe konsiderohet emergjencë globale e shëndetit publik. Të dhënat tregojnë se pothuajse 99 për qind e popullsisë në botë thith ajër që nuk përmbush standardet e sigurisë për shëndetin.
Raporti thekson se ndotja e ajrit lidhet drejtpërdrejt me sëmundje kardiovaskulare dhe respiratore, duke shkaktuar miliona vdekje të parakohshme çdo vit. Vetëm në Evropë, kjo ndotje shkakton rreth 500 mijë vdekje të parakohshme në vit.
Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, situata mbetet shqetësuese. Sipas vlerësimeve të Agjencisë Evropiane të Mjedisit, në shumë qytete të rajonit nivelet e ndotjes së ajrit shpesh tejkalojnë kufijtë e rekomanduar, veçanërisht gjatë sezonit të dimrit. Banorët e qyteteve në këtë rajon humbasin mesatarisht nga 13 deri në 16 muaj jetë për shkak të ndotjes së ajrit.
Edhe Kosova përballet me probleme serioze të cilësisë së ajrit. Të dhënat nga stacionet e monitorimit tregojnë nivele të larta të grimcave të dëmshme PM10 dhe PM2.5, sidomos në qytete si Prishtina, Mitrovica, Gjilani, Obiliqi dhe Drenasi. Gjatë periudhave të dimrit, vlerat e këtyre grimcave shpesh tejkalojnë ndjeshëm kufijtë e lejuar, duke krijuar episode të shpeshta smogu.
Sipas raportit, kjo ndotje reflektohet edhe në sistemin shëndetësor, pasi gjatë muajve të ftohtë rritet numri i vizitave dhe pranimeve në spitale për shkak të sëmundjeve të frymëmarrjes dhe problemeve kardiovaskulare.
Studimet tregojnë se ekspozimi ndaj grimcave të imta PM2.5 lidhet me rritje të rrezikut për sëmundje të zemrës, goditje në tru, kancer të mushkërive dhe sëmundje kronike të frymëmarrjes. Në Kosovë vlerësohet se rreth 1.150 vdekje në vit lidhen me nivelin aktual të ndotjes së ajrit.
Raporti identifikon disa nga burimet kryesore të ndotjes në vend, përfshirë termocentralet me qymyr në Obiliq, industrinë e rëndë, ngrohjen individuale të amvisërive me dru dhe qymyr, transportin me automjete të vjetra dhe menaxhimin jo të duhur të mbeturinave.
IKSHPK thekson se përmirësimi i cilësisë së ajrit kërkon masa të integruara, duke përfshirë politika më të forta për energjinë, transportin, industrinë dhe menaxhimin e mbeturinave, si dhe investime në teknologji më të pastra dhe zgjerimin e sistemeve të ngrohjes qendrore.
/Motilokal.com
