Autoritetet meteorologjike në Zvicër kanë paralajmëruar për reshje intensive bore gjatë fundjavës, që në disa zona mund të arrijnë deri në 90 centimetra. Rreziku më i lartë pritet në kantonin e Ticinos, ku është shpallur niveli 4 nga 5 për reshje të dendura bore.
Pas disa ditësh me temperatura më të buta dhe atmosferë pranverore, fundjava pritet të sjellë rikthimin e kushteve tipike dimërore në disa rajone të vendit.
Sipas njoftimit të MeteoSwiss, në Ticino trashësia e borës së re mund të arrijë deri në 90 centimetra. Paralajmërime për kushte të vështira atmosferike janë dhënë edhe për disa kantone të tjera, ku është shpallur niveli i rrezikut 3 nga 5.
Në mesin e rajoneve të përfshira janë Schwyz, Lucerne, Graubünden, Valais, Bern, Glarus, Uri, Nidwalden, Obwalden dhe Zug.
Meteorologët paralajmërojnë se në disa zona mund të bien deri në 80 centimetra borë të re, ndërsa paralajmërimi mbetet në fuqi deri të dielën në mesditë.
Përveç reshjeve të dendura, ekziston edhe rreziku që degë apo pemë të thyhen nga pesha e borës. Kjo mund të krijojë pengesa në rrugë dhe të rrisë rrezikun për qytetarët.
Autoritetet u bëjnë thirrje banorëve në rajonet e prekura të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes dhe të ndjekin përditësimet e shërbimeve meteorologjike.
/Motilokal.com
