Policia e Kosovës me video vetëdijësuese për krimet mjedisore

Policia e Kosovës me video vetëdijësuese për krimet mjedisore

Policia e Kosovës ka publikuar një video sensibilizuese për të rritur ndërgjegjësimin e qytetarëve për krimet mjedisore dhe pasojat që ato sjellin për shëndetin dhe natyrën.

Videoja është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, përkatësisht Njësia për Hetimin e Krimeve Mjedisore. Qëllimi është të informohen qytetarët për format e ndryshme të këtyre veprave penale dhe rëndësinë e raportimit të tyre.

Sipas policisë, krimet mjedisore paraqesin rrezik serioz, jo vetëm për mjedisin, por edhe për shëndetin e njerëzve dhe të ardhmen e brezave që vijnë.

“Si institucion i zbatimit të ligjit, Policia do të jetë e përkushtuar në forcimin e luftës kundër këtyre veprave penale, duke rritur kapacitetet ekzistuese dhe duke thelluar angazhimin në këtë drejtim. Krimet mjedisore ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin tonë dhe në të ardhmen e gjeneratave të reja”, thuhet në njoftim.

Policia u bën thirrje qytetarëve që të kontribuojnë në mbrojtjen e natyrës, duke raportuar çdo rast të dyshuar të ndotjes apo dëmtimit të mjedisit.

“Një mjedis i pastër është tregues i një shoqërie të përgjegjshme që kujdeset për veten dhe rrethin. Më shumë natyrë e pastër do të thotë më pak sëmundje dhe më shumë mirëqenie për të gjithë. Natyra mund të mbijetojë pa ne, por ne nuk mund të mbijetojmë pa të”, thuhet më tej në njoftim.


/Motilokal.com