Dy rrëqebuj të rinj regjistrohen në Malin Sharr

Dy rrëqebuj të rinj regjistrohen në Malin Sharr

Parku Kombëtar Mali i Sharrit ka njoftuar se gjatë monitorimit me kamera në zonën e mbrojtur janë regjistruar edhe dy rrëqebuj të rinj ballkanikë.

Me këtë zhvillim, numri i përgjithshëm i rrëqebullit në këtë park arrin në pesë, duke përforcuar praninë e një prej specieve më të rralla dhe të rrezikuara në rajon.

Sipas parkut, dy individët e rinj janë evidentuar nga kamerat kurth gjatë monitorimit të rregullt në një pjesë të territorit që i përket Komunës së Vrapçishtit. Ata janë në gjendje të mirë shëndetësore, çka shihet si shenjë pozitive për stabilizimin dhe rikuperimin e kësaj specieje në zonën e Sharrit.

Nga Parku Kombëtar theksohet se rritja e numrit të rrëqebullit lidhet drejtpërdrejt me masat e ndërmarra për mbrojtjen e natyrës dhe punën e vazhdueshme të ekipeve në terren.


/Motilokal.com