Kamerat kurth zbulojnë dy rrëqebuj të Ballkanit në Shebenik

Kamerat kurth zbulojnë dy rrëqebuj të Ballkanit në Shebenik

Kamerat kurth në Parkun Kombëtar të Shebenikut kanë regjistruar sërish praninë e rrëqebullit të Ballkanit (Lynx lynx balcanicus), një nga speciet më të rralla dhe më të rrezikuara në rajon.

Pamjet e siguruara tregojnë dy individë në habitatin e tyre natyror, duke konfirmuar se kjo specie vazhdon të mbijetojë në këto zona të mbrojtura. Monitorimi përmes kamerave kurth, gjurmëve në terren dhe vëzhgimeve të drejtpërdrejta po sjell të dhëna të vlefshme për jetën e egër në këtë park.

Prania e rrëqebullit në Shqipëri u dokumentua për herë të parë në vitin 2011 në zonën e Munellës, një moment i rëndësishëm që dëshmoi ekzistencën e tij në vend. Më pas, në vitin 2022, ai u regjistrua edhe në Prespë, duke zgjeruar hartën e shpërndarjes së kësaj specieje.

Rrëqebulli i Ballkanit është një nga grabitqarët më të mëdhenj në Evropë dhe jeton kryesisht në zona pyjore të izoluara. Megjithatë, mbetet nën kërcënim të vazhdueshëm nga gjuetia e paligjshme, prerja e pyjeve dhe mungesa e ushqimit.

Në Shqipëri ai konsiderohet specie kritikisht e rrezikuar, ndërsa shtrihet në disa vende të Ballkanit, përfshirë Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.

/Motilokal.com