Sot më 18 mars 2026, Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës ka ndërhyrë në një operacion shpëtimi në zonën neutrale mes Kosovës dhe Malit të Zi, pasi një familje kishte mbetur e bllokuar nga bora.
Sipas njoftimit, thirrja për ndihmë është pranuar nga Policia Rajonale e Pejës, pasi reshjet e dendura kishin bllokuar rrugën Kullë–Rozhajë. Segmenti në zonën neutrale ishte bërë i pakalueshëm, duke lënë disa udhëtarë të bllokuar në automjetet e tyre.
Një familje kosovare me tre fëmijë kishte mbetur për disa orë në mes të stuhisë së borës dhe kishte kërkuar ndihmë emergjente.
Menjëherë pas alarmit, një ekip i kërkim-shpëtimit nga Peja është nisur drejt vendit të ngjarjes me pajisje të specializuara, përfshirë edhe motosajë. Pas arritjes, ekipet kanë kontrolluar gjendjen shëndetësore të familjes dhe kanë realizuar evakuimin e tyre të sigurt drejt Pikës Kufitare në Kullë.
Gjatë operacionit, ndihmë u është ofruar edhe personave të tjerë të bllokuar në zonë. Po ashtu është evakuuar një shofer kamioni, shtetas i Malit të Zi, gjendja e të cilit ishte përkeqësuar. Ai është dërguar drejt kufirit dhe i është dorëzuar autoriteteve malazeze.
Operacioni është realizuar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe zjarrfikësit e Pejës.
Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor apelon për kujdes të shtuar gjatë qarkullimit në zonat malore, pasi kushtet e motit mund të mbeten të paparashikueshme edhe në prag të pranverës.
/Motilokal.com
