Pacolli paralajmëron masa të rrepta kundër abuzimit me ujërat

Pacolli paralajmëron masa të rrepta kundër abuzimit me ujërat

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka prezantuar prioritetet dhe masat për mbrojtjen e burimeve ujore, me rastin e Dita Botërore e Ujit.

Në një mesazh publik, ajo theksoi se institucionet do të nisin procedurat për hartimin e Master Planit Shtetëror, i cili do të shërbejë si udhërrëfyes për menaxhimin dhe shfrytëzimin e ujërave në vend.

Sipas saj, një ndër hapat kryesorë do të jetë ndalimi i degradimit të lumenjve, përmes ndërhyrjeve urgjente në shtretërit e tyre dhe largimit të barrierave artificiale ekzistuese.

Ministrja bëri të ditur se do të vazhdohet me ndërtimin e pesë digave dhe liqeneve artificiale, me qëllim sigurimin e ujit të pijshëm, si dhe me ngritjen e impianteve për trajtimin e ujërave të zeza. Po ashtu, parashihen projekte për shfrytëzimin e ujit të shiut në shërbime sanitare dhe për ujitje.

Në fokus do të jetë edhe vendosja e rregullit në pronat ujore, përmes një plani të detajuar që përfshin skanimin e gjendjes, lirimin e hapësirave të uzurpuara dhe vendosjen e tarifave për shfrytëzimin e tyre. Ajo theksoi se do të fuqizohet zbatimi i legjislacionit për menaxhimin dhe financimin e resurseve ujore.

Ndërkohë, Pacolli paralajmëroi masa të rrepta ndaj abuzimeve, duke përfshirë ndalimin e nxjerrjes ilegale të zhavorrit dhe detyrimin e hidrocentraleve për respektimin e prurjes ekologjike.

Në përmbyllje, ajo u shpreh se mbrojtja e burimeve ujore është mbrojtje e jetës, së ardhmes dhe e vetë shtetit.


/Motilokal.com