Kryetari i Komunës së Prishtinës, Perparim Rama, ka bërë thirrje të fuqishme ndaj qytetarëve dhe bizneseve për respektimin e rregullave mbi menaxhimin e mbeturinave. Ai theksoi se çdo automjet që transporton mbeturina pa kontratë me NPL “Gjelbër” do të gjobitet dhe mund t’i konfiskohet automjeti.
Inspeksioni Komunal dhe Policia e Kryeqytetit po punojnë me të gjitha kapacitetet për të parandaluar hedhjen ilegale të mbeturinave në hapësirat publike. Masat ndëshkuese përfshijnë gjobat dhe konfiskimin e automjeteve të përfshira.
Kryetari Rama nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit të qytetarëve. Çdo person që vëren hedhje të paligjshme të mbeturinave ndërtimore, sanitare, mobiljeve, gomave apo xhamave mund ta raportojë menjëherë në Policinë e Kosovës ose Inspeksionin Komunal në numrin 038 220 985.
/Motilokal.com
