Shqipëria ka hedhur në konsultim një dokument të ri strategjik për klimën, duke shënuar një hap tjetër drejt politikave më të gjelbra. Bëhet fjalë për Draftin e Kontributit Kombëtar të Përcaktuar 3.0, i cili përcakton objektiva më të forta për uljen e ndotjes dhe përballimin e efekteve të ndryshimeve klimatike deri në vitin 2035.
Në fokus të këtij drafti është kufizimi i emetimeve të gazrave serrë, me synimin që ato të mos tejkalojnë 17.4 për qind mbi nivelin e vitit 1990. Për këtë, vëmendja përqendrohet te sektorë të rëndësishëm si energjia, bujqësia, turizmi dhe zhvillimi urban, që konsiderohen kyç për transformimin ekonomik dhe mjedisor të vendit.
Dokumenti parashikon edhe një mënyrë më të koordinuar të financimit, duke bashkuar fondet publike me investimet private. Kjo qasje synon të ulë rreziqet ekonomike dhe të garantojë më shumë stabilitet në afat të gjatë.
Sipas institucioneve, ky draft është një kontribut konkret i Shqipërisë në përpjekjet globale kundër ndryshimeve klimatike. Ai pritet të shërbejë si bazë për politikat dhe masat që do të ndërmerren në vitet e ardhshme, me synimin për një zhvillim më të qëndrueshëm dhe një mjedis më të pastër.
/Motilokal.com
