Në prag të sezonit veror ka nisur ndërhyrja për pastrimin dhe rregullimin e bregdetit në Drimadhë, një zonë shumë e vizituar në territorin e Himarës.
Nga bashkia bëhet e ditur se ekipet e shërbimeve publike kanë dalë në terren për të larguar mbeturinat përgjatë vijës së plazhit, kryesisht ato që janë sjellë nga deti apo janë lënë nga vizitorët e ditëve të fundit. Paralelisht, është punuar edhe në hapësirat publike brenda fshatit, për mirëmbajtje dhe sistemim.
Kryetari i bashkisë, Vangjel Tavo, ka kërkuar bashkëpunim nga qytetarët, duke theksuar se ruajtja e pastërtisë nuk varet vetëm nga institucionet.
Ai u bën thirrje të gjithë frekuentuesve të zonës që të shmangin hedhjen e mbeturinave në hapësira publike dhe të përdorin vendet e përcaktuara për këtë qëllim.
Pastrimi i vijës bregdetare konsiderohet një hap i rëndësishëm për ruajtjen e mjedisit dhe përgatitjen e sezonit turistik, duke ndikuar drejtpërdrejt në imazhin e Himarës si një nga zonat më tërheqëse të rivierës.
/Motilokal.com
