Mikroplastika largohet më lehtë nga trupi me ndihmën e këtij ushqimi

Mikroplastika largohet më lehtë nga trupi me ndihmën e këtij ushqimi

Një studim i ri tregon se një ushqim tradicional mund të ndihmojë trupin të largojë nanoplastikën. Kimçi, specialiteti korean i përgatitur nga perime të fermentuara, duket se ka këtë potencial falë baktereve të dobishme që përmban.

Ky ushqim i fermentuar, zakonisht nga lakra dhe rrepat, është i pasur me probiotikë që mbështesin tretjen dhe sistemin imunitar. Sipas studimit të publikuar në revistën shkencore Bioresource Technology, bakteret e acidit laktik në kimçi mund të lidhen me grimcat shumë të vogla plastike, të quajtura nanoplastikë, duke ndihmuar që trupi t’i eliminojë ato përmes traktit tretës.

Nanoplastika është një nga format më të vogla të mikroplastikës, të cilat mund të depërtojnë në qeliza dhe inde, madje edhe të kalojnë barrierën gjak-tru. Ato shpesh hyjnë në ushqim për shkak të ndotjes së mjedisit gjatë rritjes apo prodhimit të ushqimeve.

Eksperimentet në minj treguan se administrimi i bakterit Leuconostoc mesenteroides, i marrë nga kimçi, dyfishoi sasinë e nanoplastikës të eliminuar në feçe, duke konfirmuar aftësinë e këtyre baktereve për të ndihmuar në pastrimin e trupit. Megjithatë, studiuesit theksojnë se efektet tek njerëzit ende nuk janë provuar dhe kërkojnë hulumtime të mëtejshme.

Ky fenomen nuk duket të jetë i kufizuar vetëm te kimçi. Bamja dhe fenugreku, sipas studiuesve nga Universiteti Tarleton State, mund të ndihmojnë në lidhjen e grimcave të mikroplastikës në ujë, duke krijuar grumbuj që më pas ndahen dhe pastruan lëngun.

/Motilokal.com