Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, i shqetësuar për gjendjen aktuale në terren dhe me synim rritjen e sigurisë publike, ka zhvilluar sot në mëngjes një takim urgjent me drejtorët përkatës. Pas këtij takimi është marrë vendim për krijimin e “Komisionit për Vlerësimin Emergjent të të gjitha vendpunishteve në territorin e Kryeqytetit”.
Komisioni do të përbëhet nga ekspertë të urbanizmit, inxhinierë të licencuar dhe përfaqësues të emergjencave, të cilët do të nisin menjëherë inspektime të detajuara në të gjitha vendpunishtet aktive.
Sipas njoftimit, çdo vendpunishte ku konstatohet shkelje apo rrezik serioz për sigurinë do të mbyllet menjëherë, pa përjashtim. Rastet do të trajtohen më tej në nivel institucional dhe mund të çojnë deri te revokimi i lejeve të ndërtimit.
Po ashtu, është theksuar se çdo inspektor komunal që nuk ka raportuar parregullsi në terren do të mbajë përgjegjësi ligjore. Autoritetet kanë bërë të qartë se nuk do të ketë tolerancë ndaj neglizhencës apo mosveprimit.
Inspektorët komunalë nuk do të jenë pjesë e këtij komisioni, duke qenë se konsiderohen pjesë e përgjegjësisë për situatat ekzistuese dhe për shkeljet që mund të evidentohen gjatë këtij procesi.
Kryetari i Kryeqytetit u ka bërë thirrje të gjitha kompanive ndërtimore që të bashkëpunojnë me institucionet dhe të respektojnë ligjin.
Siguria e qytetarëve mbetet prioritet dhe çdo shkelje do të trajtohet me masa të menjëhershme dhe të rrepta.
/Motilokal.com
