KEK nënshkruan kontratë milionëshe për trajtimin e ujërave në “Kosova B”

KEK nënshkruan kontratë milionëshe për trajtimin e ujërave në “Kosova B”

Korporata Energjetike e Kosovës ka filluar një hap të rëndësishëm për mbrojtjen e mjedisit duke nënshkruar kontratën për projektin “Trajtimi i ujërave shkarkuese nga Termocentrali Kosova B”. Ceremonia u zhvillua në termocentralin “Kosova B”, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve vendore, ndërkombëtare dhe të KEK-ut.

Investimi, me vlerë rreth 12 milionë euro, parashikon ndërtimin e pesë impianteve të avancuara për trajtimin e ujërave industriale, të kontaminuara me vajra, sanitare dhe atmosferike. Sipas projektuesve, këto masa do të reduktojnë mbi 90 për qind ndotësit kryesorë, do të eliminojnë pothuajse të gjitha vajrat dhe hidrokarburet, dhe do të ulën ndjeshëm praninë e metaleve të rënda. Projekti do të sigurojë përputhje me standardet e Bashkimit Evropian dhe përmirësim të gjendjes së ujit në lumin Sitnica.

Për herë të parë, të gjitha ujërat shkarkuese nga “Kosova B” do të trajtohen me teknologji moderne dhe sipas praktikave më të mira ndërkombëtare. Ky investim është pjesë e një plani më të gjerë të KEK-ut për modernizim, ku gjatë 2025–2027 pritet të realizohen projekte mbi 500 milionë euro për përmirësimin e kapaciteteve ekzistuese, teknologjitë mjedisore dhe energjitë e ripërtëritshme.

Zyrtarët e KEK-ut e përshkruan këtë projekt si një hap kyç drejt shndërrimit të korporatës në një operator modern, të qëndrueshëm dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetin publik.

/Motilokal.com