Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka reaguar sot për hedhjen e mbeturinave inerte në fshatin Dobërdelan.
Ai bëri të ditur se zona është pastruar disa herë, por pavarësisht kësaj, mbeturinat po hidhen sërish në mënyrë të paligjshme. Muharremaj i bëri thirrje personit përgjegjës, tashmë i identifikuar nga institucionet, që t’i largojë menjëherë, në të kundërtën do të përballet me gjobë sipas ligjit.
Ndërkohë, ai theksoi se çështja e mbeturinave mbetet një problem i përbashkët në qytet dhe në fshatra.
Muharremaj falënderoi Asamblenë Komunale për votimin e ndryshimit të tarifës për mbeturinat, por shtoi se kompania EKO-Regjioni ka vlerësuar se tarifa prej 6 euro nuk është e mjaftueshme për të përballuar situatën aktuale.
Ai nënvizoi se kjo çështje nuk duhet të politizohet, duke kërkuar bashkëpunim mes të gjitha palëve për të gjetur një zgjidhje.
Sipas tij, është e nevojshme që së bashku me Asamblenë Komunale të analizohet situata dhe të merret një vendim i duhur, në mënyrë që qytetarëve t’u ofrohet shërbim më i mirë.
/Motilokal.com
