Miratohet strategjia rajonale për mbrojtjen e rrëqebullit ballkanik

Miratohet strategjia rajonale për mbrojtjen e rrëqebullit ballkanik

Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës njofton se është miratuar Strategjia Rajonale për Ruajtjen e Rrëqebullit Ballkanik, një hap i rëndësishëm për mbrojtjen e një prej specieve më të rrezikuara në Evropë.

Vendimi u mor në kuadër të Takimit të 15-të të Konferencës së Palëve të Konventës për Ruajtjen e Llojeve Migratore të Faunës së Egër (CMS COP15), që po mbahet në Brazil, ku vendet e Ballkanit prezantuan dhe aprovuan dokumentin strategjik.

Strategjia është hartuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin, Sekretariati i Konventës së Karpateve, Grupi Specialist për Macet i IUCN, Programi për Rimëkëmbjen e Rrëqebullit të Ballkanit, si dhe autoritetet shtetërore të vendeve të rajonit.

Në këtë proces kanë marrë pjesë edhe institucionet e Kosovës, si nga sektori publik ashtu edhe ai joqeveritar, duke kontribuar në forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar dhe dialogut rajonal.

Me miratimin e strategjisë synohet rritja e koordinimit mes vendeve, forcimi i bashkëpunimit rajonal dhe garantimi i mbrojtjes afatgjate të rrëqebullit ballkanik.

Takimi i CMS COP15, i cili përfundon nesër, ka mbledhur përfaqësues të qeverive, shkencëtarë dhe ambientalistë për të diskutuar sfidat kryesore të ruajtjes së llojeve migratore. Nën moton “Lidhja e Natyrës për të Mbështetur Jetën”, konferenca ka theksuar rëndësinë e lidhshmërisë ekologjike për mbrojtjen e biodiversitetit dhe mirëqenien e njeriut.


/Motilokal.com