Ndalohet betonimi i shtretërve të lumenjve në Kosovë, vendim i ri nga ministrja Fitore Pacolli

Ndalohet betonimi i shtretërve të lumenjve në Kosovë, vendim i ri nga ministrja Fitore Pacolli

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Kosovës, Fitore Pacolli, ka njoftuar se është marrë vendim për ndalimin e menjëhershëm të betonimit të shtretërve të lumenjve në të gjithë vendin.

Sipas saj, fondet publike nuk duhet të përdoren në projekte që dëmtojnë mjedisin apo rrisin rrezikun nga vërshimet. Ajo e cilësoi këtë praktikë si të vjetër, të dëmshme dhe të rrezikshme për ekosistemin dhe sigurinë e qytetarëve.

Pacolli theksoi se betonimi i shtretërve të lumenjve ka ndikuar drejtpërdrejt në shkatërrimin e ekosistemeve dhe në rritjen e rrezikut për përmbytje të vendbanimeve dhe tokave bujqësore. Sipas saj, përdorimi i betonit nuk garanton siguri, përkundrazi, përshpejton rrjedhën e ujit duke e kthyer lumin në një kërcënim serioz për pronat.


Ajo shtoi se ruajtja e shtratit natyral të lumenjve mundëson që toka të thithë ujin dhe të krijojë një mbrojtje më të qëndrueshme kundër vërshimeve.

Vendimi i ri nuk prek kontratat ekzistuese, por kërkon që ato të përshtaten me standardet mjedisore. Sipas ministres, synimi është që mjetet publike të investohen vetëm në projekte që mbrojnë natyrën dhe rrisin sigurinë e jetës.

“Po mbyllim kapitullin e betonit për të hapur një epokë të re të restaurimit të natyrës”, ka deklaruar Pacolli, duke shtuar se lumenjtë e Kosovës duhet të mbeten pasuri e gjallë për gjeneratat e ardhshme.

/Motilokal.com