Ndërsa mjedisi po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një nga çështjet më të nxehta globale, organizatat jofitimprurëse në mbarë botën po zhvillojnë fushata të vazhdueshme për ajër dhe ujë më të pastër, si dhe për mbrojtjen e ekosistemeve natyrore. Përmes këtyre iniciativave, ato kontribuojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e gjendjes mjedisore në komunitetet ku veprojnë, duke nxitur ndërgjegjësim dhe veprim konkret tek qytetarët dhe institucionet. Në këtë kontekst global, edhe në Kosovë vërehet një angazhim në rritje i organizatave vendore, të cilat po luajnë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në sensibilizimin e publikut dhe në organizimin e aktiviteteve në terren për mbrojtjen e mjedisit.
Organizata “Ta Pastrojmë Kosovën” është një nga shembujt më aktivë në këtë drejtim. Ajo ka dhënë një kontribut të vazhdueshëm duke mobilizuar vullnetarë për aksione pastrimi dhe ripyllëzimi në zona të ndryshme të vendit, si dhe duke kontribuar në rritjen e ndërgjegjësimit qytetar për rëndësinë e ruajtjes së mjedisit. Përveç aktiviteteve në terren, organizata është angazhuar edhe në monitorimin e zbatimit të ligjeve mjedisore, duke ushtruar presion dhe duke kërkuar përgjegjësi më të madhe institucionale në këtë fushë.
Për të kuptuar më shumë rreth sfidave me të cilat po përballet Kosova në fushën e mjedisit, Motilokal.com ka realizuar një intervistë me Luan Hasanaj, drejtor i “Let’s Do It – Ta Pastrojmë Kosovën”.
Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj
Si e vlerësoni gjendjen aktuale të mjedisit në Kosovë, sidomos sa i përket menaxhimit të mbeturinave?
Gjendja e mjedisit në Kosovë mbetet sfiduese dhe kërkon ndërhyrje më serioze, sidomos në fushën e menaxhimit të mbeturinave. Edhe pse ka përmirësime të caktuara në disa komuna, në përgjithësi mungon një sistem i qëndrueshëm dhe funksional që garanton menaxhim efikas të mbeturinave dhe mbrojtje të hapësirave publike.
Problemet kryesore lidhen me mungesën e kontrollit dhe mirëmbajtjes së pronës publike, ku brezi rrugor, lumenjtë dhe hapësirat publike në përgjithësi mbeten më të prekura nga ndotja. Po ashtu, shqetësuese është gjendja në liqene dhe mungesa e kujdesit për parqet nacionale, ku mungon një shërbim i rregullt për menaxhimin e mbeturinave. Një tjetër problem serioz është mungesa e politikave që do të stimulonin ekonominë qarkore. Riciklimi mbetet në nivele shumë të ulëta, pothuajse nuk ekziston në disa zona. Për më tepër, kompanitë që operojnë në këtë sektor përballen me mungesë infrastrukture, kapacitete të kufizuara dhe të ardhura shumë të ulëta, çka ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e shërbimeve.
Në këtë kontekst, ndotja nuk është vetëm çështje e mungesës së vetëdijes, por edhe rezultat i një sistemi që ende nuk funksionon në mënyrë të plotë dhe të koordinuar.
Cilat janë sfidat më të mëdha që hasni në terren gjatë organizimit të aksioneve të pastrimit?
Sfidat janë të shumta dhe fillojnë që nga sigurimi i mbështetjes logjistike, e cila shpesh është jashtëzakonisht e vështirë. Kemi raste kur përballemi me vështirësi në arritjen e marrëveshjeve me aktorë të ndryshëm institucionalë dhe lokalë. Një problem i shpeshtë është transportimi i mbeturinave të grumbulluara nga vullnetarët, ku mungon mbështetja e duhur për t’i larguar ato në kohë. Po ashtu, ka një nivel të konsiderueshëm burokracie, përfshirë edhe raportin me Kompaninë për Menaxhimin e Deponive, kur bëhet fjalë për pranimin e këtyre mbeturinave në deponi pa pagesë. Kjo e vështirëson shumë procesin dhe shpesh e ngadalëson ndikimin e aksioneve.
Një tjetër sfidë mbetet mobilizimi i vullnetarëve, sidomos në zonat më problematike dhe më të ndotura, ku pjesëmarrja është më e ulët për shkak të kushteve të vështira dhe mungesës së motivimit.
A mendoni se institucionet po bëjnë mjaftueshëm për mbrojtjen e mjedisit, apo barra po bie më shumë te shoqëria civile?
Institucionet janë në një nivel shumë të ulët në zgjidhjen e këtij problemi. Ka mungesë të theksuar të buxhetit për projekte mjedisore, mungesë në zbatimin e ligjeve dhe kapacitete të kufizuara institucionale. Për shembull, numri i inspektorëve mjedisorë është i pamjaftueshëm, ndërkohë që prej vitesh kërkohet themelimi i një “policie të gjelbër”, e cila ende nuk është realizuar.
Sigurisht që ka progres, dhe kjo vërehet në rritjen e interesimit dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në aktivitete mjedisore. Megjithatë, mbetet ende shumë për t’u bërë. Një pjesë e madhe e qytetarëve vazhdon ta ketë të vështirë të kuptojë se prona publike u takon edhe atyre dhe se kanë përgjegjësi direkte për ruajtjen e saj.
Në këtë drejtim, roli i shoqërisë civile është shumë i rëndësishëm. Ka shumë grupe dhe organizata që angazhohen rregullisht në aktivitete të ndryshme dhe, pa këtë angazhim, situata do të ishte edhe më e rënduar.
Nga ana tjetër, krijohet përshtypja që institucionet shpesh e kanë lënë zgjidhjen e këtij problemi në varësi të fondeve ndërkombëtare dhe, fatkeqësisht, edhe në këtë drejtim rezultatet kanë qenë të kufizuara. Kjo e bën edhe më të domosdoshëm një angazhim më të madh vendor dhe një përgjegjësi më të qartë institucionale.
Një tjetër çështje shumë shqetësuese është mungesa e bashkëpunimit ndërinstitucional. Problemet mjedisore kërkojnë koordinim të vazhdueshëm, por në praktikë shpesh mungon një qasje e përbashkët dhe e organizuar.
Në këtë situatë, një pjesë e madhe e barrës vazhdon të bie mbi shpatullat e shoqërisë civile dhe qytetarëve aktivë.
Sa ka ndryshuar vetëdija e qytetarëve ndër vite për çështjet mjedisore? A ka progres real?
Sigurisht që ka progres, dhe kjo vërehet në rritjen e interesimit dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në aktivitete mjedisore. Megjithatë, mbetet ende shumë për t’u bërë. Një pjesë e madhe e qytetarëve vazhdon ta ketë të vështirë të kuptojë se prona publike u takon edhe atyre dhe se kanë përgjegjësi direkte për ruajtjen e saj.
Cilat janë zonat më problematike në Kosovë kur flasim për ndotje dhe deponi ilegale?
Prona publike në përgjithësi mbetet problematike, veçanërisht në zonat periferike të qyteteve dhe në zonat rurale, ku mungon kontrolli dhe mirëmbajtja. Lumenjtë vazhdojnë të jenë ndër pikat më të ndotura.
Një fakt shumë shqetësues është se mbi 90% e ujërave të zeza përfundojnë në lumenj.
Si e shihni rolin e edukimit në shkolla në krijimin e një kulture më të përgjegjshme ndaj mjedisit?
Edukimi në shkolla ka një rol kyç dhe ekziston një bazë e mirë, por ka nevojë për një qasje ndryshe, më pak teori dhe më shumë praktikë. Nxënësit duhet të përfshihen drejtpërdrejt në aktivitete konkrete si aksione pastrimi apo mbjellje pemësh. Po ashtu, është e rëndësishme që mësimdhënësit të trajnohen më shumë për këto tema. Sa i përket qytetarëve, ka nevojë për më shumë fushata që i përfshijnë drejtpërdrejt në veprim.
Si e përballoni zhgënjimin kur pastrimi i një zone nuk zgjat shumë?
Sigurisht që ka zhgënjim kur një zonë e pastruar ndotet sërish, por përvoja na ka mësuar se ky është një rrugëtim i gjatë. Në thelb, këto aksione nuk janë vetëm pastrim, por edhe një mënyrë për të kërkuar zgjidhje dhe një formë proteste qytetare.
Jemi në prag të Ditës Botërore të Tokës, si do ta shënoni këtë ditë dhe cili është mesazhi juaj për qytetarët?
Me rastin e Ditës Botërore të Tokës do të vazhdojmë aksionin në liqenin e Badovcit, si dhe do të organizojmë aksione pastrimi dhe mbjellje pemësh në Istog dhe Vushtrri. Këtyre aktiviteteve u paraprin trajnimi “Women and Climate & Digital Security”.
Mesazhi ynë për qytetarët është i qartë: ndotja nuk është më thjesht problem mjedisor, por problem shoqëror dhe institucional. Hapësirat publike nuk janë të askujt, ato janë të të gjithëve, dhe pikërisht për këtë arsye secili duhet të mbajë përgjegjësi. Pavarësisht nëse ka apo jo punë të mirë nga institucionet përgjegjëse, i ftoj qytetarët që të mos e “dënojnë” natyrën duke e ndotur atë.
/Motilokal.com
