CNN Travel: Shqipëria në hartën e re të amerikanëve për jetesë

CNN Travel: Shqipëria në hartën e re të amerikanëve për jetesë

Shqipëria po bëhet çdo ditë e më shumë një destinacion i preferuar për të huajt, sidomos për qytetarët amerikanë, të cilët po e zgjedhin jo vetëm për pushime, por edhe për të jetuar.

Së fundmi, CNN Travel i ka kushtuar një artikull këtij fenomeni, me titull “Më shumë amerikanë po zhvendosen në Evropën Qendrore dhe Lindore”, nga gazetarja Blane Bachelor. Në të, Shqipëria përmendet si një nga vendet që po tërheq gjithnjë e më shumë interes.

Sipas artikullit, për shumë vite ëndrra evropiane e amerikanëve lidhej me qytete si Paris, Rome apo Barcelona. Por rritja e kostos së jetesës dhe politikat më të ashpra të vizave në këto vende po i shtyjnë ata të kërkojnë alternativa të reja, sidomos në Ballkan.

Shqipëria po fiton terren. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave i Shqipërisë, në fund të vitit 2024 kishte rreth 22 mijë të huaj me leje qëndrimi, mbi 3 mijë prej tyre nga Amerika, Afrika ose Oqeania. Kjo përbën një rritje me afro 25% krahasuar me vitin 2023.

Një nga arsyet kryesore është politika më e lehtë e qëndrimit. Ndryshe nga vende si Italia, Spanja, Franca dhe Portugalia, të cilat po ashpërsojnë rregullat, Shqipëria ofron mundësi më të thjeshta për qytetarët amerikanë.

Këtë e konfirmon edhe Jen Barnett, bashkëthemeluese e kompanisë Expatsi, që ndihmon amerikanët të zhvendosen jashtë vendit. Ajo e rendit Shqipërinë ndër zgjedhjet kryesore, duke theksuar se me rreth 1,000 dollarë në muaj mund të jetohet mirë dhe se vendi është ideal për punë në distancë apo për të nisur një biznes. Sipas saj, pas vitit të parë, aplikimi për vizë si nomad digjital është i thjeshtë.

Edhe ministri Blendi Gonxhja e ka vlerësuar këtë vëmendje ndërkombëtare. Ai thekson se Shqipëria po bëhet më e hapur dhe gjithnjë e më e pranishme në hartën globale, duke tërhequr nomadë digjitalë dhe sipërmarrës nga vende të ndryshme.

Interesi për Shqipërinë lidhet me disa faktorë të qartë: natyra e paprekur, bregdeti i bukur, kostoja më e ulët e jetesës dhe mikpritja. Qytete si Tirana, Saranda dhe Vlora janë ndër më të kërkuarat, pasi ofrojnë një kombinim të jetës urbane, plazheve dhe kulturës.

Përtej turizmit, gjithnjë e më shumë të huaj po shohin Shqipërinë edhe si një mundësi për investime, sidomos në pasuri të paluajtshme dhe biznese të reja, duke përfituar nga një treg në zhvillim dhe një klimë e favorshme ekonomike.

/Motilokal.com