Nissan Juke ka qenë gjithmonë një veturë që bie në sy, falë formës së saj të veçantë. Edhe pse konkurrenca në këtë segment është rritur vazhdimisht, ajo ka arritur të mbetet një zgjedhje interesante për shumë blerës. Tani, Nissan ka prezantuar gjeneratën e tretë të Juke në eventin e saj Vision në Japoni.
Modeli i ri do të vijë vetëm si elektrik dhe do të prodhohet në fabrikën e Sunderland në Britani, së bashku me Nissan Leaf. Ai bazohet në platformën CMF-EV, e njohur edhe si AmpR Medium, e përdorur edhe nga modele si Renault Scenic E-Tech, Alpine A390 dhe Nissan Ariya. Lansimi global pritet në pranverën e vitit të ardhshëm.
Ende nuk janë bërë publike specifikat e plota apo pamjet e brendshme, por dizajni i jashtëm tashmë është zbuluar dhe duket shumë ndryshe nga çdo model tjetër i Nissan. Madje, të jep më shumë përshtypjen e një veture koncept sesa të një modeli që do të dalë në treg.
Pamja dominohet nga linja të mprehta dhe forma të theksuara. Pjesa e përparme ka një grilë të madhe të zezë dhe drita karakteristike, ndërsa anët dallohen nga harqet këndore të rrotave dhe një ngjyrë e gjelbër e fortë që e bën profilin të dalë në pah. Dorezat e dyerve të pasme janë të fshehura në shtyllat C, si te modeli aktual.
Edhe pjesa e pasme vazhdon me stil të guximshëm, me drita LED të veçanta dhe një derë bagazhi me formë të dallueshme.
Si edhe Leaf-i aktual, Juke i ri do të mbështesë teknologjinë “vehicle-to-grid”. Sa i përket baterisë, pritet të përdorë opsione të ngjashme me ato të Leaf, rreth 52 kWh dhe 75 kWh.
Interesante është që gjenerata e dytë nuk do të largohet menjëherë nga tregu. Të dy versionet do të shiten paralelisht, ndërsa modeli ekzistues pritet të marrë një rifreskim për t’u përshtatur me ardhjen e versionit të ri elektrik.
/Motilokal.com
