Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, ishte sot pjesë e Samitit të IV të Diasporës Shqiptare, ku foli në panelin mbi rolin e diasporës në integrimin evropian dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Në fjalën e tij, ai u ndal te Kapitulli 27, një nga më sfiduesit në procesin e integrimit, që lidhet me mjedisin dhe ndryshimet klimatike. Sipas tij, ky kapitull është ndër më të gjatët dhe më të kushtueshmit, pasi prek drejtpërdrejt çdo investim dhe çdo aspekt të zhvillimit në vend.
Jaupaj theksoi se kapitulli përfshin rreth 10 fusha kryesore, nga cilësia e ujit dhe menaxhimi i mbetjeve, te mbrojtja e natyrës, kimikatet dhe lufta kundër ndryshimeve klimatike. Ai bëri të ditur se Ministria e Mjedisit, në bashkëpunim me 29 institucione, po punon për përmbushjen e këtij kapitulli, i cili u hap në shtator të vitit të kaluar. Brenda rreth një viti e gjysmë pritet të miratohen afro 400 akte ligjore dhe nënligjore që përafrojnë legjislacionin me atë të Bashkimit Evropian.
Megjithatë, ai nënvizoi se sfida nuk është vetëm ligjore, por edhe financiare. Sipas tij, integrimi mjedisor kërkon investime të mëdha, ku përveç sektorit publik, rol kyç ka edhe sektori privat.
Në këtë drejtim, Jaupaj vlerësoi kontributin e diasporës shqiptare, duke theksuar se shumë prej modeleve më të avancuara për ekonominë qarkulluese dhe transformimin e gjelbër janë sjellë pikërisht nga bizneset e tyre. Ai shtoi se këto koncepte janë përqafuar më herët nga diaspora, ndërsa Shqipëria për një kohë të gjatë ka funksionuar me modelin “prodho dhe hidh”.
Ministria, sipas tij, ka nisur edhe një program të posaçëm për të mbështetur këto iniciativa, të quajtur “Krijo dhe qarkullo”, që synon të promovojë bizneset e qëndrueshme, kryesisht ato të lidhura me diasporën.
Një tjetër fokus i rëndësishëm mbeten zonat e mbrojtura, të cilat përbëjnë rreth 22% të territorit të vendit. Jaupaj i cilësoi ato si një aset kyç për turizmin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të komuniteteve lokale.
Ai u ndal edhe te shpallja e Vjosës si Park Kombëtar, duke e cilësuar një proces të vështirë, që përfshiu ndërprerjen e 26 kontratave për hidrocentrale përgjatë lumit. Sipas tij, kjo hap rrugë për zhvillim të qëndrueshëm përmes iniciativave si “Paketa e maleve”.
Në fund, ministri theksoi rëndësinë e turizmit për ekonominë, duke kujtuar se vitin e kaluar Shqipëria u vizitua nga rreth 12.5 milionë turistë të huaj, ku shumica prej tyre zgjodhën destinacionet natyrore në brendësi të vendit, si parqet kombëtare, malet dhe liqenet.
/Motilokal.com
