Mbjelljet pranverore, nis koha për kultivimin e misrit

Mbjelljet pranverore, nis koha për kultivimin e misrit

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka bërë thirrje për fermerët që të intensifikojnë përgatitjet gjatë periudhës së mbjelljeve pranverore, duke vënë theks të veçantë te kultivimi i misrit, si një ndër kulturat më të rëndësishme ekonomike në vend.

Sipas ministrisë, qëllimi kryesor mbetet rritja e rendimentit për njësi sipërfaqeje, duke ruajtur njëkohësisht cilësinë e prodhimit. Në këtë drejtim, edhe këtë vit janë planifikuar përkrahje financiare përmes subvencioneve për fermerët që merren me prodhimin e misrit.

Misri konsiderohet kulturë me rëndësi të veçantë për shkak të vlerave të larta ushqyese dhe ndikimit të drejtpërdrejtë në zhvillimin e blegtorisë dhe industrisë ushqimore në Kosovë.

Ministria rekomandon zbatimin e masave agroteknike për të arritur rezultate më të mira. Këto përfshijnë përgatitjen e tokës përmes lërimit të thellë dhe përdorimit të plehut organik, si dhe aplikimin e plehërimit kimik të balancuar gjatë pranverës. Po ashtu, rëndësi i kushtohet edhe ripëlhërimit gjatë fazave të zhvillimit të bimës për të siguruar rritje të qëndrueshme.

Sa i përket zgjedhjes së farës, theksohet përdorimi i hibrideve të përshtatshme sipas zonave. Në Rrafshin e Kosovës rekomandohen hibride të hershme dhe të mesme, ndërsa në Rrafshin e Dukagjinit hibride më të vonshme. Gjithashtu, për rendimente më të larta sugjerohet që sipërfaqet të jenë nën sistem ujitjeje, sidomos në zonat më të thata.

Afati optimal për mbjelljen e misrit është nga 15 deri më 25 prill, kur temperatura e tokës arrin nivelin e duhur për mbirje dhe zhvillim të shëndetshëm të bimës.

Për këshilla dhe mbështetje shtesë, fermerët mund të drejtohen te Departamenti i Shërbimeve Këshillimore dhe Teknike në kuadër të ministrisë, si dhe në Qendrat Informative Këshillimore Komunale, ku mund të marrin udhëzime profesionale për të gjitha fazat e kultivimit.


/Motilokal.com