Infektologu paralajmëron: Pickimet e mushkonjave nuk janë vetëm bezdi

Infektologu paralajmëron: Pickimet e mushkonjave nuk janë vetëm bezdi

Me rritjen e temperaturave, rikthehet edhe prania e shtuar e mushkonjave në Kosovë. Ato shpesh konsiderohen vetëm si bezdi, por sipas infektologut dr. Visar Gashi, rreziku që sjellin është më i madh sesa duket në shikim të parë.

Mushkonjat mund të jenë bartëse të infeksioneve të ndryshme, disa prej të cilave janë të pranishme edhe në rajonin tonë. Ndër më të shpeshtat përmendet Virusi i Nilit Perëndimor, një infeksion që transmetohet përmes pickimit të mushkonjave. Në shumicën e rasteve kalon pa simptoma, por te disa persona mund të shfaqen ethe, dhimbje koke, lodhje, ndërsa në raste më të rënda mund të prekë sistemin nervor.

Përveç infeksioneve, pickimet e mushkonjave mund të shkaktojnë edhe reaksione alergjike, sidomos te personat më të ndjeshëm, duke sjellë ënjtje të theksuar dhe irritim të lëkurës.

Sipas dr. Gashit, mbrojtja është thelbësore dhe mund të arrihet me disa masa të thjeshta në përditshmëri. Eliminimi i ujit të ndenjur është hapi kryesor, pasi aty zhvillohen mushkonjat. Duhet kontrolluar rregullisht oborri, vazot e luleve, gomat e vjetra apo çdo enë që mund të mbajë ujë pas reshjeve.

Vendosja e rrjetave mbrojtëse në dritare dhe dyer ndihmon në parandalimin e hyrjes së tyre në ambiente të brendshme. Po ashtu, rekomandohet përdorimi i sprejeve mbrojtëse kundër insekteve dhe veshja me rroba më të mbyllura, sidomos në zonat ku ka shumë mushkonja.

Kujdes i shtuar duhet treguar në orët e mbrëmjes dhe të mëngjesit të hershëm, kur aktiviteti i mushkonjave është më i lartë.

Mjekët këshillojnë që në rast se pas pickimeve shfaqen simptoma si ethe të larta apo dhimbje të forta koke, qytetarët të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore.

Apeli i specialistëve mbetet i qartë: kujdesi dhe parandalimi janë mënyra më e mirë për të mbrojtur veten dhe familjen gjatë këtij sezoni.

/Motilokal.com