Agjencia e Menaxhimit Emergjent me apel të rëndësishëm për qytetarët

Agjencia e Menaxhimit Emergjent me apel të rëndësishëm për qytetarët

Agjencia e Menaxhimit Emergjent e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar me hyrjen në sezonin e verës, i cili pritet të shoqërohet me temperatura të larta dhe rritje të rrezikut për zjarre në hapësira të hapura, zona malore dhe fushore.

Sipas njoftimit, qëllimi është parandalimi i zjarreve dhe mbrojtja e jetës së qytetarëve, pronës, kafshëve dhe mjedisit. Autoritetet kërkojnë vigjilencë maksimale për të shmangur çdo shkaktar të mundshëm të zjarrit, si dhe reagim të menjëhershëm në rast rreziku.

Qytetarët ftohen që çdo vatër zjarri ta raportojnë pa vonesë në numrat emergjentë 112, 193 dhe 192, të cilët funksionojnë pa pagesë 24 orë në ditë. Po ashtu, kërkohet bashkëpunim edhe në raste kur zjarret mund të vihen nën kontroll, duke kontribuar në shuarjen e tyre kur është e sigurt.

Agjencia rikujton disa masa bazë parandaluese:

  • mos ndizni zjarr në pyje, fusha apo pranë zonave të banuara
  • mos hidhni cigare të ndezura apo mbeturina të rrezikshme
  • raportoni menjëherë çdo rast zjarri
  • edukoni fëmijët për rrezikun e lojës me zjarr
  • ruani mjedisin si pasuri të përbashkët

Në njoftim theksohet se vetëm përmes ndërgjegjësimit dhe bashkëpunimit mund të shmangen pasojat e rënda dhe të mbrohet natyra.

Po ashtu, bëhet e ditur se zjarrvëniet, qoftë të qëllimshme apo nga pakujdesia, përbëjnë vepër penale dhe dënohen sipas ligjit.

Në dispozicion të qytetarëve janë këta numra emergjentë:

  • 112 Qendra Operative Emergjente
  • 193 Zjarrfikësit
  • 192 Policia
  • 194 Shërbimi Mjekësor Emergjent

Autoritetet bëjnë thirrje për reagim të shpejtë dhe të përgjegjshëm në çdo situatë, duke theksuar se veprimi i hershëm mund të shpëtojë jetë dhe të mbrojë mjedisin.


/Motilokal.com