Në Helsinki është hapur një urë që po tërheq shumë vëmendje, jo vetëm për gjatësinë, por edhe për mënyrën si do të përdoret.
Ura Kruunuvuorensilta është ura më e gjatë dhe më e lartë në Finlandë, me një gjatësi prej 1,191 metrash. Ajo lidh zonat Korkeasaari dhe Kruunuvuorenranta, por ndryshe nga urat klasike, nuk është e hapur për vetura. Është menduar vetëm për këmbësorë, çiklistë dhe transport publik.
Me këtë lidhje të re, Kruunuvuorenranta afrohet ndjeshëm me qendrën e qytetit. Distanca bie nga rreth 11 kilometra në vetëm 5.5, duke e bërë lëvizjen shumë më të shpejtë dhe praktike për banorët.
Kryetari i bashkisë, Daniel Sazonov, e cilësoi urën si një pikë të re identiteti për qytetin, një vend që jo vetëm lidh zona, por edhe tërheq vizitorë.
Interesi ka qenë i madh që në fillim. Mbi 50 mijë njerëz e vizituan vetëm gjatë fundjavës së hapjes, çka tregon se kjo urë nuk është thjesht infrastrukturë, por një atraksion më vete.
/Motilokal.com
