Nga shkollat nis angazhimi për natyrën, Kumbaro, Jaupaj dhe Gonzato prezantojnë fushatën

Nga shkollat nis angazhimi për natyrën, Kumbaro, Jaupaj dhe Gonzato prezantojnë fushatën

Në Ditën e Tokës, nga shkolla “Musine Kokalari” nisi një fushatë kombëtare që synon të afrojë të rinjtë me kujdesin për natyrën. Nisma “Mbro natyrën, sa je në kohë” u prezantua si një bashkëpunim mes institucioneve arsimore, mjedisore dhe partnerëve evropianë, me fokus të qartë te roli i nxënësve.

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, theksoi se edukimi mjedisor nuk mbetet vetëm në libra, por shtrihet edhe në aktivitete konkrete jashtë orëve të mësimit. Sipas saj, kjo është pjesa që i tërheq më shumë fëmijët, sepse mësojnë duke vepruar, përmes lojës, mbjelljes së luleve apo aktiviteteve në grup. Ajo i inkurajoi nxënësit të kujdesen për hapësirat ku jetojnë dhe të kontribuojnë drejtpërdrejt në mbajtjen pastër të mjedisit.

Nga ana tjetër, ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, u kërkoi fëmijëve të marrin një rol aktiv si “ambasadorë të natyrës”. Ai e shpjegoi këtë thjesht: të mos hedhin mbeturina, të ndikojnë te familjarët dhe shoqëria për më shumë kujdes ndaj ambientit dhe të flasin hapur për mbrojtjen e biodiversitetit.

Edhe ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, nënvizoi se secili ka një përgjegjësi reale në ruajtjen e planetit. Ai përmendi veprime të thjeshta, si riciklimi, ripërdorimi, mbjellja e pemëve dhe kursimi i energjisë, si hapa konkretë ku çdokush mund të kontribuojë.

Dita u shoqërua me aktivitete praktike në shkollë. Nxënësit mbollën lule dhe vendosën shtëpiza për zogjtë, ndërsa në të gjithë vendin, shkollat e shënuan këtë moment me angazhime të ngjashme, duke e kthyer mesazhin për mbrojtjen e natyrës në veprim të përditshëm.


/Motilokal.com