Kurti: Shteti nuk do të tolerojë dëmtimin e natyrës

Kurti: Shteti nuk do të tolerojë dëmtimin e natyrës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në aktivitetin e organizuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për themelimin e Gardës për Mbrojtjen e Natyrës, në kuadër të shënimit të Dita e Tokës.

Në fjalën e tij, Kurti theksoi se shteti nuk mund të jetë neutral kur dëmtohet mjedisi, duke e cilësuar këtë si një parim themelor të qeverisjes. Ai u shpreh se pasuritë natyrore janë të përbashkëta dhe zhvillimi nuk mund të ndërtohet duke shkatërruar bazën e jetës.

Sipas tij, krijimi i Gardës për Mbrojtjen e Natyrës përfaqëson një ndryshim të qasjes së shtetit, nga reagimi i vonshëm drejt parandalimit të dëmeve. “Një shtet që nuk është spektator, por veprues, që nuk toleron degradimin, por e ndalon atë”, u shpreh ai.

Kurti rikujtoi se për vite me radhë natyra në Kosovë është trajtuar si hapësirë pa kontroll, ku kanë dominuar abuzimet. Ai tha se qeveria synon ta ndryshojë këtë realitet përmes masave konkrete dhe investimeve.

Ai përmendi se gjatë mandatit të kaluar janë ndarë mbi 10 milionë euro për rregullimin dhe pastrimin e shtretërve të lumenjve, përfshirë ndërhyrje në lumenj si Lumbardhi i Deçanit, Lumi Shtimjana dhe Lumi Llap, si dhe pastrime në disa rajone të vendit.

Kryeministri paralajmëroi gjithashtu mbylljen e deponive ilegale dhe ndërtimin e një sistemi modern për menaxhimin e mbeturinave, duke shtuar se do të ketë monitorim të rregullt dhe ndëshkime për ndotësit.

Ai bëri të ditur se Qeveria ka miratuar së fundmi projektligjin për inspektoratin në fushën e mjedisit dhe sektorëve të lidhur, si hap i rëndësishëm për forcimin e kontrollit dhe mbrojtjes së ambientit.

Në përmbyllje, Kurti e cilësoi Gardën për Mbrojtjen e Natyrës si një bashkëpunim mes qytetarëve dhe shtetit, në një kohë kur sfidat mjedisore janë globale. Ai theksoi se mbrojtja e natyrës është kusht për zhvillim të qëndrueshëm dhe mirëqenie afatgjatë.

/Motilokal.com