Në Ditën e Tokës pastrohen brigjet e liqenit të Badovcit

Në Ditën e Tokës pastrohen brigjet e liqenit të Badovcit

Me rastin e Ditës së Tokës, në Badovc u realizua një aksion i madh pastrimi në kuadër të iniciativës “Let’s Do It – Ta Pastrojmë Kosovën”.

Vullnetarë të shumtë u angazhuan për disa orë rresht në pastrimin e brezit rrugor dhe brigjeve të liqenit të Badovcit, duke larguar mbeturinat dhe duke kontribuar në përmirësimin e gjendjes së mjedisit në këtë zonë të rëndësishme.

Organizatorët falënderuan të gjithë pjesëmarrësit për përkushtimin dhe energjinë e treguar gjatë aksionit, si dhe institucionet dhe kompanitë që u bënë pjesë e kësaj nisme, përfshirë KRM “Pastrimi”, KRU “Prishtina” dhe Teleperformance.

Mirënjohje u shpreh edhe për mbështetjen e ofruar nga Urgent Action Fund for Feminist Activism, e cila bëri të mundur realizimin e aksionit dhe kontribuoi në përfshirjen dhe fuqizimin e vajzave dhe grave të reja në këtë aktivitet.

Nga organizatorët u theksua se ky aksion është dëshmi se ndryshimi është i mundur kur ka bashkëpunim, por njëherësh u bë thirrje që kujdesi për mjedisin të mos mbetet vetëm në aksione të tilla, por të jetë përgjegjësi e përditshme e secilit qytetar.

Gjithashtu, u apelua edhe për institucionet që të rrisin angazhimin në mbrojtjen e mjedisit, veçanërisht në zonat e mbrojtura si Badovci.

“Badovci është jetë. Ta mbrojmë.”


/Motilokal.com