Biçikleta për nxënësit e Obiliqit në Ditën e Tokës

Biçikleta për nxënësit e Obiliqit në Ditën e Tokës

Në Ditën e Tokës, në shkollën “Fazli Grajqevci” në Obiliq u realizua një aktivitet i veçantë për nxënësit, ku u shpërndanë biçikleta si pjesë e një nisme për promovimin e jetesës së shëndetshme dhe mbrojtjes së mjedisit.

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, së bashku me kryetarin e Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, morën pjesë në këtë aktivitet të organizuar në Hade të Re, ku nxënësit u pajisën me biçikleta.

Biçikletat janë siguruar nga kompania “Albimi”, ndërsa Komuna e Obiliqit ka realizuar ndërtimin e shtigjeve për çiklizëm, duke krijuar kushte më të sigurta për përdorimin e tyre.

Nga Ministria u bë e ditur se projekte të ngjashme do të vazhdojnë edhe në shkolla të tjera në Kosovë, me synimin për të nxitur transportin e qëndrueshëm, ajër më të pastër dhe një stil më aktiv jetese për fëmijët.


/Motilokal.com